Shumë dështime i janë listuar Kuvendit në një raport të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Legjislativit i janë kontestuar disa vendime dhe është konstatuar se ai nuk e përmbushi as rolin mbikëqyrës ndaj Qeverisë
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka gjetur se gjatë 2023-s, në disa raste vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni. Në raportin e titulluar “Kuvendi i Dështimeve”, është evidentuar edhe mungesa e transparencës, përleshjet fizike, gjuha joparlamentare, seksiste, raciste e homofobe.
Gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, e kontestoi ligjshmërinë edhe të disa prej seancave.
“Në tri raste Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa miratuar rendin e ditës në seancë plenare, për arsye se ky rend i ditës nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesë të kuorumit. Në një rast, IKD-ja gjen se kryetari i Kuvendit interpretoi gabimisht Rregulloren e Kuvendit për mosfillimin dhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për arsye se në sallë nuk ishin të pranishëm 61 deputetë”, ka thënë Jakaj.
Raporti konstaton se Kuvendi ka dështuar ta kryejë edhe rolin mbikëqyrës, duke mos e mbajtur përgjegjëse Qeverinë.
Jakaj e kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti për mungesë të qasjes proaktive me legjislativin.
“IKD gjatë monitorimit të punës së Kuvendit ka gjetur se kryeministri Kurti raportoi në Kuvend vetëm me kërkesë të grupeve parlamentare opozitare dhe asnjëherë me qasjen proaktive të tij për ta mbajtur të informuar Kuvendin për një temë me rëndësi siç është dialogu”, ka theksuar ai.
Sipas raportit të IKD-së, vitin e shkuar Kuvendin e përcolli mungesa kronike e kuorumit.
“Në lidhje me aktivitetin legjislativ, ai u përshkrua nga mosefikasiteti i Kuvendit në miratimin e projektligjeve dhe pikave të tjera të rendit të ditës, përgjithësisht, ndikim pati mungesa kronike e kuorumit që në shumicën e rasteve u shkaktua nga deputetët e shumicës parlamentare, veçanërisht te projektligjet ku kërkohet shumicë e thjeshtë e votës”, ka deklaruar Jakaj.
Raporti evidenton të dhënën se gjatë vitit 2023, 15 deputetë nuk e kanë ngritur asnjë çështje, ndërkaq të tjerët në total kanë mbajtur gjithsej 2,114 fjalime. Ligjvënësit e Listës Serbe marrin pjesë në Kuvend veç për t’i ruajtur mandatet.