Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Sipas IKD-së, ky vendim është në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë dhe dëmton besimin e publikut në institucionet shtetërore.
Lipovica është njëri ndër të dyshuarit kryesorë në aferën e njohur si “rezervat shtetërore”. IKD-ja thekson se, pavarësisht prezumimit të pafajësisë, emërimi i një personi të dyshuar për korrupsion në një pozitë të lartë qeveritare është i papranueshëm dhe dërgon mesazh të gabuar për publikun.
Në vend që të bashkëpunonte me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e rastit, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, sipas IKD-së, akuzoi Policinë për mënyrën e mbledhjes së provave dhe nuk ndërmori asnjë veprim për të garantuar transparencë. Madje, siç thotë IKD-ja, edhe kryeministri Albin Kurti ka bërë sulme ndaj sistemit të drejtësisë, duke minuar pavarësinë e hetimeve.
IKD-ja thekson se ky vendim jo vetëm që minon integritetin institucional, por edhe krijon precedent të rrezikshëm, duke promovuar persona të dyshuar për korrupsion dhe dënuar sinjalizuesit e parregullsive. Siç thuhet në reagimin e IKD-së, promovimi i Lipovicës vjen menjëherë pas shkarkimit të një zyrtari që kishte sinjalizuar keqpërdorimet në rezervat shtetërore.
IKD-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë menjëherë këtë vendim dhe të vendosë standarde të qarta dhe të pakompromis për emërimet në pozita të larta, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut dhe të garantohet një qeverisje e përgjegjshme dhe transparente.