Deputetët opozitarë kanë akuzuar partinë në pushtet për pengim të punës së komisioneve parlamentare. Gjatë prezantimit të raportit të IKD-së për “mosefikasitetin e hetimit parlamentar”, shumica parlamentare është kritikuar edhe për refuzim të formimit të këtyre komisioneve
Kuvendit të Kosovës i është kërkuar që të bëjë ndryshime të nevojshme për t’i eliminuar të metat në Ligjin për Hetim Parlamentar, ndërsa partia në pushtet është kritikuar për pengim të punës së komisioneve hetimore parlamentare.
Gjatë prezantimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi me titullin “Mosefikasiteti i hetimit parlamentar”, të mërkurën, është thënë se puna e këtyre komisioneve është degraduar nga deputetët e shumicës.
Naim Jakaj, hulumtues në këtë Institut, ka thënë se shumica parlamentare gjatë proceseve hetimore ka shkelur detyrimet ligjore dhe kushtetuese.
“Shumica parlamentare ka refuzuar formimin e komisioneve kur kjo është kërkuar nga 1/3 e deputetëve, duke shkelur kështu detyrimet ligjore dhe kushtetuese që kërkojnë ngritjen e tyre pa u varur nga vullneti i deputetëve të tjerë. Ky refuzim përbën shkelje të qartë të ligjit për hetim parlamentar dhe pengesë serioze të funksionimit demokratik të Kuvendit. Në disa raste në legjislaturën e tetë, shumica parlamentare ka pamundësuar punën e komisioneve përmes bojkotit dhe mungesës së kuorumit, duke vonuar procesin hetimor dhe nxjerrjen e përfundimeve”, ka thënë Jakaj.
Jakaj ka thënë se edhe ligji për hetim parlamentar përbën një sërë paqartësish në përcaktimin e kompetencave të komisioneve, për çka ka kërkuar nga Kuvendi, ndryshimin e tij.
E deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë pengesë në këto komisione hetimore.
"Përvoja ime është se ka pjesë ku kam vlerësime për punën që është bërë në rastin e parë kemi intervistuar edhe presidentin e vendit. Pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes kemi pasur pengesa në punën e tyre në Komisionin Hetimor. Sot është një proces që po ndodh ndaj Nagip Krasniqit, ka pasur të gjetura që ka pasur kompani që nuk kanë pasur licencë për furnizim me energji elektrike. Duke mos ardhur në komision dhe duke rrezikuar kuorumin për të raportuar raportin. Në vend se të ndodhë e kundërta, ta kryejmë pjesën politike, aq më shumë kemi kaluar me kohë, aq më keq ka degraduar. Kontrata njëburimore, falja e borxheve të ambalazhuesve të ujit, të tria këto, Lëvizja Vetëvendosje na ka penguar për të kryer Komisionin Hetimor”, ka deklaruar Selmanaj.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka akuzuar partinë në pushtet për arrogancë e mungesë të llogaridhënies.
“Pozita që është shumicë duhet të krijojë kushte që opozita të gjejë vendin e saj sigurt dhe të japë kontributin e vet, por arroganca këtë nuk po e lejon, jemi ofenduar keq. Jemi ofenduar që nuk po dimë të bëhemi ose ejani t’ju mësojmë si të bëhen opozitarë si duhet. Në këtë mandat kemi pasur vetëm bllokim dhe uroj që të mos përsëritet më”, ka deklaruar Dreshaj.
Prej legjislaturës së parë të Kuvendit e deri më tash janë themeluar 15 komisione hetimore, prej tyre 6 vetëm në këtë legjislaturë.