Arbëri

IKD-ja e quan konflikt interesi udhëheqjen e dy drejtorive nga Brestovci, drejtori kundërshton

Bekim Brestovci

Ditën e nis në zyrën e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, në objektin e Komunës së Vjetër. Mirëpo, që nga data 7 mars, Bekim Brestovci duhet të lëvizë gjatë ditës për të shkuar edhe në zyrën e tij të re, e cila gjendet në objektin e Inspektoratit të qytetit.

Brestovci është emëruar nga kryetari Përparim Rama drejtor i Inspektoratit të kryeqytetit, pa u shkarkuar nga detyra e tij paraprake si drejtor i Shërbimeve Publike.

Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se ky vendim i kryetarit Rama bie ndesh me statutin e komunës dhe cilësohet si konflikt interesi.

“Sipas statutit të Komunës së Prishtinës, këto dy drejtori janë të veçanta dhe të ndara dhe është logjike që të kenë dy drejtorë të ndryshëm. Sipas kësaj logjike, nëse një drejtor mund t’i mbajë dy drejtori atëherë mundet t’i mbajë të gjitha drejtoritë e komunës që është në kundërshtim me sensin e funksionimit të administratës dhe drejtorive. Veçanërisht emërimi i drejtorit të Shërbimeve Publike dhe i Inspekcionit është haptazi konflikt interesi sepse të dy drejtoritë kanë kompetenca të ndryshme kundërshtuese në kuptim të balancimit të vendimeve”, ka thënë ai.

Shala ka thënë tutje se po që se drejtoritë do të kishin ngjashmëri, mund të fuzionoheshin.

“Nëse është kështu do të duhej që drejtoritë të fuzionoheshin dhe jo një drejtor t’i udhëheqë të dyja sepse nuk është logjike që ta kishim një ministër për dy ministri ose më shumë. Ne kemi pasur fuzionim të ministrive të caktuara por në asnjë rrethanë nuk ka qenë një ministër për dy ministri, nuk ka asnjë arsye logjike”, ka thënë ai.

Kurse Brestovci nuk e vlerëson si konflikt interesi emërimin e tij në dy drejtori. Ai ka thënë se për këtë gjë kanë konsultuar zyrën ligjore komunale.

“Opozita këtë detyrë e ka që të kritikojë dhe për çdo projekt që niset natyrisht që nuk i konvenon asnjë punë që realizohet në kryeqytet për përmbushjen e vizionit të kryetarit Rama. Natyrisht që disa prej opozitarëve kanë pritur që të hedhë peshqirin e bardhë, nuk do të ndodhë. Absolutisht jo, ne jemi konsultuar edhe me zyrën ligjore dhe një gjë e tillë nuk bie ndesh me kurrfarë ligji dhe me asnjë rregullore, aq ma pak konflikt interesi. Kemi pasur edhe më herët kur një drejtor ka udhëhequr dy drejtori”, ka thënë Brestovci.

Ai ka premtuar se do të japë kontribut më shumë sesa drejtorët e mëhershëm në Drejtorinë e Inspektoratit.

“Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike kemi shumë ngjashmëri me punën që e bën edhe Inspekcioni e sidomos në sektorin e rendit komunal dhe në ballafaqim me problematikat e jashtme. Gjithherë kam thënë se DSHP-ja është ajo artileria që godet, kurse Inspekcioni këmbësoria e cila duhet pastaj, që në vazhdimësi të jetë koshient në kryerjen e punëve për shumë probleme. Kjo nuk ka ardhur rishtazi sepse ka moti që ka qenë e menduar që pas kalimit të Alban Zogajt në Kuvendin e Kosovës ai vend të mbulohet nga drejtori i gjertanishëm i Inspekcionit, Florian Dushi”, ka thënë ai.

Përzgjedhjen e Brestovcit në dy drejtori po e kundërshton opozita. Leutrim Retkoceri, nga Partia Demokratike e Kosovës, vendimin e Ramës e quan kontradiktor.

“Në vazhdën e shumë vendimeve që i ka nxjerrë kryetari Rama dhe i ka kontestuar MAPL-ja edhe ky vendim është kontradiktor dhe përbën konflikt interesi. Kjo pasi i njëjti person i cili menaxhon dhe lëshon leje për hapësira publike i njëjti nuk mund t’i inspektojë këto punime e aq më pak të shqiptojë gjoba për to dhe këtu është konflikti i interesit. Kjo duhet të dërgohet në instanca më të larta të institucioneve gjyqësore”, ka thënë Retkorceri.

Kryetari Rama ka emëruar Brestovcin në vend të Florian Dushit, i cili tashmë është nënkryetar i kryeqytetit, pasi Alban Zogaj ka fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

Kurse Brestovci pozitën e drejtorit të DSHP-së e bart që nga shkurti i vitit 2024, pas shkarkimit të drejtorit të atëhershëm të kësaj drejtorie Ilirik Musliu nga vetë Rama.