Gjykatat kanë pasur efikasitet konsiderueshëm të ulët në ndriçimin e rasteve të korrupsionit në vitin 2021, është gjetja që Instituti i Kosovës për Drejtësi ka përfshirë në raportin hulumtues “Lufta në tentativë kundër korrupsionit”.
Në një konferencë për media janë prezantuar gjetjet që tregojnë se më 2021 janë nxjerrë më pak vendime në rastet e korrupsionit sesa në vitin 2019, kur vendi nuk ishte në pandemi.
“Nëse krahasohen me vitet paraprake, në 7 gjykatat themelore janë nxjerrë më pak vendime në rastet e korrupsionit (165 persona) sesa më 2019 kur ishin nxjerrë vendime ndaj 302 personave. Numri i vendimeve më 2021 është i përafërt me atë të vitit 2020 (161 persona), që për shkak të pandemisë për disa muaj ishte reduktuar puna në gjyqësor”, thuhet në raport.
“Kështu IKD gjen se gjatë vitit 2021, Gjykatat kanë pasur një efikasitet konsiderueshëm të ulët. Përkatësisht, gjatë këtij viti, gjykatat kanë pasur rezultatin pothuajse të njëjtë me vitin 2020, i cili ishte vit i pandemisë”, thuhet më tej aty.
42 për qind e aktakuzave për korrupsion ndaj 165 personave kanë përfunduar me dështim të provimit në gjykatë. 72 persona janë dënuar.
Sa i përket për profilet e larta, janë shpallur vendime gjyqësore ndaj 28 personave dhe në të gjitha kanë dështuar aktakuzat e Prokurorisë, sipas gjetjeve.
“Viti 2021, është njëri nga vitet i cili ka pasur rezultatet më negative të dështimit të rasteve të profilit të lartë, rastet si ‘Veteranët’ apo ‘Posta’ ku dyshohet për dëm të madh ndaj buxhetit të shtetit kanë përfunduar me aktgjykime liruese, kurse akoma më keq kanë përfunduar rastet ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, ish-deputetit Naser Osmani e ish-sekretarit të MSH-së, Ilir Tolaj, të cilat janë pushuar për shkak të parashkrimit”, thuhet në raport. “Po ashtu në raste si ai ndaj ish-kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa dhe drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, për shkak të gabimeve në fazën hetimore, provat kryesore janë shpallur të papranueshme”.
Sipas IKD-së, në krahasim me vitet e kaluara, më 2021 ka pasur ngritje të dënimeve plotësuese (të ndalimit të ushtrimit të profesionit), por ka shtuar se që dënimet të jenë më kuptimplote, duhet të ketë këso dënime ndaj zyrtarëve që shpallen fajtorë për korrupsion.
Shqetësues mbetet edhe moskonfiskimi i pasurisë së fituar me vepra penale të korrupsionit.