Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka hedhur dyshime se ka ndodhur një hapje e portave të digës për zbrazje në Liqenin e Ujmanit e se kjo, sipas tij, mund të jetë njëri nga faktorët pse janë shkaktuar vërshime të mëdha në regjionin e Mitrovicës. Por këtë e ka mohuar kategorikisht drejtori i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, që menaxhon Ujmanin.
Kastrati në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë të premten se ka pasur ngritje enorme të ujit në Ujman, duke u bazuar në stacionin hidrometrik që kontrollohet nga IHMK-ja.
Për këtë, Kastrati ka thënë se i kanë lajmëruar me kohë institucionet përkatëse që ajo pjesë është shumë e fryrë dhe mund të shkaktojë probleme.
“Ne kemi dy stacione hidrometrike në zonën e Mitrovicës. Janë stacione automatike me transmetim të të dhënave online. Çdo 15 minuta e bëjnë regjistrimin e nivelit të ujit dhe disa parametrave të tjerë. Ne i përcjellim me kohë. Stacioni monitorues në Ibër e monitoron zbrazjen prej akumulacionit të Ujmanit, dhe kemi vërejtur që brenda 24-48 orëve, ka pas ngritje enorme të nivelit të ujit deri në tri metra, që është e pazakontë. Kjo të bën të kuptosh se ata i kanë hapur portat e zbrazjes së digës në Ujman. Ky është proces normal sepse për ta mbrojtur një rezervuar ujor, kur ka sasi të konsiderueshme të reshjeve, duhet të hapen portat. Por nuk e di a ka pas informacione paraprake institucionale. Kemi lajmëruar që kjo pjesë e Ibrit është shumë e fryrë dhe ka potencial që në rrjedhën e poshtme të saj të shkaktojë probleme. Dhe ashtu doli”, ka thënë Kastrati, duke theksuar se kjo ishte njëri ndër faktorët që ka shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Mitrovicës, por që sipas tij, ka pasur edhe kontribut nga lumenjtë e tjerë.
Këtë e ka mohuar Mujka. Ai ka thënë se portat e digës së Ujmanit hapen automatikisht kur arrihet kuota maksimale e ujit, gjë që siç thotë ai, nuk është arritur dje.
“Nuk është e vërtetë që ka pasur hapje të portave. Ajo hapet vetëm kur arrihet kuota maksimale e ujit e që nuk është arritur. Nëse do të binte shi edhe 24 orë, do të mund të arrihej kjo kuotë dhe në mënyrë automatike hapet sepse munden me u ça portat e digës”, ka thënë Mujka për KOHËN.
Në një reagim të mëvonshëm në Facebook, Mujka ka bërë thirrje që të merret në pyetje nga Prokuroria zyrtari i IHMK-së. Ai ka akuzuar Kastratin për shpërndarje të lajmeve të pakonfirmuara dhe të rrezikshme “të cilat mund të krijojnë panik të madh tek qytetarët e Mitrovicë por edhe rrethit shumë më të gjerë”.
“Ky nuk është proces normal siç thotë personi në fjalë. Përkundrazi, hapjen e portave të digës së Ujmanit mund ta urdhërojnë vetëm institucionet më të larta të shtetit sepse është vendim me peshë tepër të rëndë. Në rast të këtij vendimi duhet të evakuohet e tërë popullata e këtij regjioni. Ka nivel të lartë të ujit në liqenin e Ujmanit, por jo për t’u hapur portat”, ka thënë Mujka.
“Është tepër e rëndë të luhet me ndjenjat e qytetarëve në momente të këtilla dhe kjo po ndodh se personat e tillë nuk po ndëshkohen. Unë me përgjegjësi të plotë them se nuk ka pasur veprim të tillë dhe për situatën reale i kam informuar me kohë të gjitha institucionet relevante, Qeverinë, Kryetarin e Komunës, Komandantin e Policisë”, ka thënë Mujka.
Mujka ka bërë thirrje që njerëzit të mos “bien pre e hamendësimeve”.
Rajoni i Mitrovicës u përfshi nga vërshime të mëdha të enjten. Gjendje më e rëndë u regjistrua në qytetin e Skenderajt. Por edhe në Mitrovicë e Klinë, u regjistruan dëme të mëdha. Peja e Istogu gjithashtu u prekën nga vërshimet.