Mirishahe Syla, aktiviste e shoqërisë civile, thotë se për shoqërinë kosovare është më e pranueshme një burrë vrasës sesa një burrë një bën makijazh në fytyrën e tij.
Sipas saj, në modelin që ndjek shumica, burri shihet si më agresiv dhe më i fortë dhe djemtë e rinj përpiqen t’u përshtaten këtyre normave që i pranon shumica.
“Kur kanë modele, qoftë brenda familjes apo jashtë familjes, sepse dikush i sheh modelet në media që ka shumë fatkeqësisht që e promovojnë dhunën, çfarëdo që e sheh si model në këtë rast, prapë po kthehemi se çfarë është modeli i një burri, në shumicën dhe mënyrën si organizohen familjet tona është zakonisht ai modeli që burri është më agresiv dhe pritet prej djemve të rinj me qenë burrë i fortë. Nëse një djal nuk përshtatet me këto norma zakonisht bullizohet. Mediat tona shumë më normale është me diskutu për një burrë që e ka vrarë një grua, e ka vrarë se ka qenë xheloz, ajo gruaja i ka pasur fajet, ky nuk ka mundur ta kontrollojë veten... dhe më keq flasin për një burrë që veç ka vendosë ndoshta me vë makeup në fytyrë. Këto krahasim te ne më e pranueshme është një vrasës një burrë në shumicën, në mënyrën si diskutohet online”, ka thënë ajo në “Konfront”.
Psikologu Thaçi: Ndihmë kërkojnë si viktimat ashtu edhe dhunuesit
Psikologu Petrit Thaçi ka theksuar se në trajtimin e çështjeve të dhunës dhe bullizmit, ndihmë kërkojnë si viktimat, ashtu edhe personat me prirje të dhunshme.
“Ne psikologët kemi punë me dy kategori. Kemi raste të personave që janë të bullizuar ose nën presion të vazhdueshëm, por po ashtu kemi edhe individë me prirje të impulseve kriminale që kërkojnë ndihmë. Zakonisht, dhunuesit vijnë me referime, qoftë nga shkolla apo të afërmit”, ka thënë Thaçi në “Konfront” të KTV-së.
Ai theksoi rëndësinë e trajtimit të secilit rast pa e relativizuar përgjegjësinë e faktorëve të ndryshëm shoqërorë. Sipas tij, nuk duhet dhënë gjithmonë një karakter gjinor dhunës, pasi ajo nuk kufizohet brenda një gjinie të caktuar.
“Dhuna dhe agresioni janë potenciale që nuk kufizohen brenda një gjinie”, u shpreh Thaçi, duke theksuar nevojën për trajtim të barabartë të të gjitha rasteve dhe mbështetje për të dyja palët e përfshira.
Kurteshi: Narrativi se fajin kryesor për gjithçka të keqe e ka familja, duhet të tejkalohet
Sociologia Bleona Kurteshi ka thënë se është një “zinxhir” faktorësh që mund të ndikojnë në sjelljen e një individi që mund të çojë deri në dhunë, por se sipas saj, faktor kryesor nuk mund të thuhet se është familja.
Kurteshi ka theksuar se institucionet kanë filluar “ta luajnë një rol shumë formal sesa përmbajtjesor”.
“Do të mbërrijmë të shkojmë një hap më tej, kur flasim për dhunën dhe zgjidhjen e këtyre probleme, kur të dalim prej disa narrativave që i kemi krijuar prej disa gjuajtjeve të para që na vijnë në mend sa herë bëhet fjalë për dhunën. E para është familja. Kemi hy brenda një kornize dhe fjalën e parë që e gjejmë me hedhë fajin e kemi familjen. Nuk ekziston një format, një lloj i caktuar i një familjeje që i ka disa korniza që mund të themi kjo familje është idealja. Ky është problemi i parë që ne duhet ta tejkalojmë. Me mbërri me pa ngjarjen dhe situatën prej disa strukturave të tjera. Të rinjve sot më shumë u ngjajnë bashkëmoshatarëve të tyre se familjeve. Më shumë kalojnë kohë me bashkëmoshatarët e tyre sesa me familjet”, është shprehur Kurteshi në “Konfront” të KTV-së.
Idrizi: Shkollave u mungon bashkëpunimi me prindërit, këtu çalon edukimi
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se mungesa e bashkëpunimit mes shkollave dhe prindërve është një nga faktorët kryesorë që ndikojnë në edukimin e fëmijëve.
Idrizi në “Konfront” komentoi rastet tragjike që kanë ndodhur në Vushtrri gjatë ditëve të fundit. Të dielën, një 19-vjeçar e vrau bashkëmoshatarin e tij. Ndërsa një ditë më vonë një burrë dyshohet se e vrau një grua e më pas veten.
“Shkollave iu mungon bashkëpunimi me prindërit. Kjo është zbrazëtia që nuk e plotëson mirë edukimin e nxënësit. Prindërit janë të obliguar t’i rrisin, t’i zhvillojnë dhe t’i pasurojnë me edukatë fëmijët e tyre. Ata duhet të bashkëpunojnë me institucionet arsimore ku ndjekin mësimet fëmijët e tyre”, ka deklaruar Idrizi të martën.
Ai shtoi se mungesa e këtij bashkëpunimi ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e të rinjve dhe në sigurinë e qytetarëve. Sipas tij, ekspozimi i fëmijëve ndaj dukurive negative, veçanërisht në rrjetet sociale, po ndikon në sjelljen dhe formimin e tyre.
“Nuk po e bart përgjegjësinë vetëm te familja, por si dikush që ka punuar mbi 17 vjet në arsim, them me bindje se faktori kryesor për edukimin e fëmijëve është bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollës”, ka thënë ai.
Idrizi bëri thirrje për një angazhim më të madh të të gjitha palëve për të parandaluar raste të ngjashme dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe edukativ për të rinjtë.