Arbëri

Identifikohen mbetjet mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit

Identifikimi i mbetjeve mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se të martën, pas 26 vjetës pritjeje dhe kërkimi, janë identifikuar mbetjet mortore të tri viktimave të masakrës së Kralanit, që ishin në listën e personave të zhdukur që nga lufta në Kosovë. 

Janë identifikuar mbetjet mortore të Sabedin Kryeziut, nga fshati Mleqan i Malishevës, Mentor Kryeziut nga fshati Bubavec i Malishevës dhe Vehbi Halilajt nga fshati Llapqevë i Malishevës. 

“Informimi zyrtar i familjeve është bërë nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore , me praninë edhe të kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Luftës dhe Personave të Zhdukur ‘Kujtesa’ dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës. Këto tri identifikime vijnë pas identifikimeve të tetë viktimave të tjera nga e njëjta masakër, eshtrat (mbetjet mortore) e të cilëve u gjetën dhe zhvarrosën nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin, për të cilat familjet u njoftuan gjatë javës së kaluar.  Shprehim ngushëllimet për familjet Kryeziu dhe familjen Halilaj”, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.