Shkaku i dëmeve nga zjarri, në fabrikën “Euromaks”, në Novosellë të Pejës, që prodhim bazë ka peletin, pronari i saj ka kërkuar përkrahjen financiare nga shteti.
Ndonëse pa u ditur saktësisht shkaktarët e zjarrit, pronari i kompanisë thotë se dëmi është vlerësuar 600 mijë euro.
Blerim Muriqi, pronar i kompanisë “Euromaks” mohon se ka afërsi politike me Nismën Socialdemokrate, ministri i së cilës parti bëri propozimin që ai të ndihmohet financiarisht.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i kishte propozuar Qeverisë përmes këtij dokumenti që të kompensohet kompania “Euromaks” në shumën e 200 mijë eurove.
Televizioni ka folur me ministrin e Tregtisë, Endrit Shala, por ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje para kamerës.
Përmes telefonit, shkurt ka thënë se këtë propozim e ka gjetur në kohën sa ministër ishte Bajram Hasani.
Por, ish-ministri Hasani ka thënë se propozimi i tij ishte që kompania “Euromaks” të ndihmohet me 100 mijë euro dhe jo me 200 mijë.
Ndërkaq, në mbledhjen e 26 shkurtit të qeverisë, ky propozim nuk u shqyrtua pasi e kundërshtoi ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri.
Ministri Endrit Shala ka thënë se është tërhequr nga propozimi për ndihmën financiare të kompanisë, për shkak të mungesës së parave.