Drejtori ekzekutiv i Asociacionit Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për anashkalim të komunave në vendimmarrje dhe mosadresim të shqetësimeve të ngritura nga niveli lokal.
Ai të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, të KTV-së, ka thënë se në takimin e fundit që e kanë zhvilluar me nivelin qendror, kryeministri Kurti është zotuar se shqetësimet e ngritura nga komunat do të ngritën në nivel qendror dhe se për të do t’u përgjigjet me shkrim. Por sipas Ibrahimit një gjë e tillë nuk është bërë.
Për këtë ai ka thënë se kanë kërkuar edhe një takim.
“Bordi i AKK-së ka dërguar një kërkesë te kryeministri që të kemi një takim të përbashkët ku do të diskutohen temat e ngritura nga kryetarët e komunave, e jo temat e imponuara. Janë një varg çështjet për të cilat kryetarët e komunave kërkojnë zgjidhje, është tatimi në pronë, janë procedurat e rekrutimit në shërbimin civil, të hyrat vetjake dhe buxheti i komunave, pronat e administruara nga Agjencia e Kosovare e Privatizimit, dhe Agjencia P{yjore, Granti i Katërt, Ligji i prokurimit publik, që është një nga arsyet pse komunat nuk po mund t’i shfrytëzojnë mjetet për investime kapitale”, ka deklaruar Ibrahimi.
Sipas tij përveç që nuk u është ofruar përgjigje për këto çështje, janë ndërmarr edhe veprime të tjera që nuk janë në interes të komunave.
“Në takimet që i kemi pasur deri më tani të gjitha këto shqetësime janë ngritur, në takimin e fundit të 23 janarit, kryeministri është zotuar se të gjitha këto shqetësime do të ngritën në nivel qeveritar dhe përgjigjet do të jepen me shkrim, por kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi janë bërë disa veprim të cilat kanë shkuar në disvafor të komunave”, është shprehur Ibrahimi.
Ka përmendur në këtë rast ngritjen e faturave të tatimit në pronë, që sipas tij është bërë pa u konsultuar me komunat.
Ibrahimi ka thënë se nëse Qeveria do t’ua falë qytetareve nga 100 euro të tatimit në pronë, ato duhet të rimburësohen, pasi sipas tij, në këtë rast komunat do të humbnin dhjetëra miliona euro. E në bazë të analizave që ka thënë se i kanë bërë, më së shumti në këtë aspekt do të dëmtohej Komuna e Prishtinës.
Ibrahimi ka theksuar se për falje të tatimit në pronë do të duhej të vendoste secila komunë vet dhe jo niveli qendror.
Një qasje të tillë karshi komunave ka thënë se nuk e kanë parë në qeverisjet e kaluara.
“Gjithmonë përpara vendimmarrjes për secilin ligj që i ka prekur kompetencat e komunave, komunat janë konsultuar, tash komunat janë duke u anashkaluar në vendimmarrje e po ashtu edhe duke u paralizuar në investime”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka folur edhe për bllokimin e të hyrave vetjake të komunave, që sipas tij është bërë nga Ministria e Financave dhe Qeveria.
Sipas tij në mënyrë të padrejtë 37.5 milionë euro, e pashpenzuara të komunave janë duke u mbajtura pezull.
Ai ka thënë se kjo është bërë me tendencë, nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Këto mjete nuk mund t’i shfrytëzojë Qeveria, sepse do të shkel Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe çka duhet të bëjë ministri Murati e që ka mundur ta bëjë edhe gjatë këtij viti është që kur është amendamentuar Ligji i buxhetit, kur është futur vlera e koeficientit për Ligjin e pagave, sepse kur është miratuar Ligji është fshirë një pjesë e një fjalie ku thuhet se ‘të gjitha të hyrat vetjake të komunave të pashpenzuara përgjatë vitit 2022’, në vitet paraprake ka qenë edhe pjesa ‘dhe viteve paraprake’, dhe kjo pjesë nuk ekziston në Ligjin e tanishëm”, është shprehur Ibrahimi, duke cituar pikën 6 të nenin 9, të Ligjit për buxhetin për vititn 2023.
“Bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të Ligjit për menaxhimin e financave publike, duke ruajtur strukturën e shpenzimeve dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës”, thuhet në këtë pikë.
Ai ka thënë se në fillim kanë menduar që ky është një lëshim teknik, por siç ka thënë ai, ‘duke e parë tendencën e ministrit për të ju marrë komunave të gjitha mjetet e pashfrytëzuara’ dhe mosvullnetin e tij për ta ndryshuar Ligjin, po mendojnë që ky nuk është lëshim teknik.
Ibrahimi ka thënë se shpresojnë që Ligji të ndryshohet sa më shpejt.
Sipas tij asnjëherë nuk ka pasur tendenca nga Qeveritë e kaluara që të marrin mjetet e komunave.