Arbëri

“Ibrahim Rugova” në pronën e kontestuar

Në pronë të huaj është ndërtuar objekti i Shkollës fillore “Ibrahim Rugova” në Podujevë. Prona prej 1.4 hektarësh në të cilën është ndërtuar ky objekt është e Ndërmarrjes shoqërore “Ekonomia Pyjore”. Kjo shkollë ishte financuar nga Ministria e Arsimit, ani se atëkohë zyrtarët komunalë paraprakisht nuk e kishin ndjekur asnjë procedurë ligjore për ta kthyer në pronë komunale. Përgjegjësinë për këtë, zyrtarët e MASHT-it ia kanë vënë Komunës së Podujevës. Lënda rreth këtij kontesti pronësor është duke u trajtuar në Gjykatën Supreme. Ndërkohë, punëtorët qe 13 vjet kanë mbetur pa pronë dhe janë privuar nga e drejta e 20 përqindëshit

Asnjë cent qe trembëdhjetë vjet nuk ka hyrë në xhepat e punëtorëve të Ndërmarrjes shoqërore “Ekonomia Pyjore” (ish-Javori) në Podujevë. Në një pjesë të hapësirës prej 1.4 hektarësh që gjendet në rrugën “Skënderbeu” në Podujevë është ndërtuar shkolla fillore “Ibrahim Rugova”, ani se atëkohë nuk ishte ndjekur asnjë procedurë ligjore për kthimin në pronë komunale. Që nga ajo kohë, objekti i kësaj shkolle që kishte nisur të ndërtohej në vitin 2010, është në pronë të kontestuar.

Përfaqësuesi i punëtorëve të ish-Javorit, Fehmi Ismajli, ka thënë se në vitin 2010 Komuna ua kishte marrë këtë pronë dhe që nga atëherë shumica e punëtorëve kanë mbetur rrugëve.

“Siç jemi kthyer pas luftës, në gusht të vitit 1999 kemi filluar prodhimin. Mirëpo, organizata me të cilat përpara kemi pasur kontratë nuk kanë funksionuar edhe prodhimi ka rënë. Ne kemi mbetur në pat pozicion, s’kemi arritë me përballu numrin e punëtorëve dhe e kemi zvogëluar numrin e tyre. Në vitin 2010, Kuvendi Komunal e ka marrë pasurinë ose oborrin e ‘Ekonomisë Pyjore’ për ndërtimin e shkollës. Për atë shkak, punëtorët kanë mbetur në gjendje të mjerueshme. Të gjithë gati kanë mbetur rrugëve”, ka thënë përfaqësuesi i punëtorëve të “Ekonomisë Pyjore”, Fehmi Ismajli. “Pas marrjes së pronës, ne me Agjencinë e Privatizimit kemi pasur një bashkëpunim dhe ata kanë bërë padi në emër të ‘Ekonomisë Pyjore’ Kuvendit Komunal që t’iu bëhet pagesa e 20-përqindëshit punëtorëve të cilët kanë punuar në ‘Ekonominë Pyjore. Deri më sot, lënda është zvarritur nëpër disa gjykata dhe rezultati është zero”.

Ndërtimin e objektit të shkollës e ka financuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Por, zyrtarët e saj kanë thënë se për zgjedhjen e lokacionit përgjegjëse ka qenë komuna.

“Të gjitha investimet e MASHTI-t që nga fillimi i investimeve në objekte shkollore (viti 2003) janë bërë bazuar në kërkesat e bëra nga DKA-të e komunave përkatëse, rrjedhimisht edhe ky investim nga MASHTI në ndërtimin e SHFMU ‘Ibrahim Rugova’ në Komunën e Podujevës është bërë bazuar në kërkesën e organeve komunale të Podujevës. MASHTI nuk ka pse të ndihet përgjegjëse për investimin e bërë për këtë shkollë. Çështjen e përgjegjësisë duhet kërkuar në Komunën e Podujevës bazuar në kërkesën e bërë për lokacion të kontestuar”, ka theksuar këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi-Maliqaj.

KOHA u ka shkruar drejtuesve të atëhershëm të komunës, përkatësisht ish-kryetarit Agim Veliu dhe ish-nënkryetarit Nexhmi Rudari, por asnjëri nuk është përgjigjur.

E kryetari i tanishëm i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se për këtë rast është njoftuar nga AKP-ja, pasi e kishte marrë drejtimin e komunës. Edhe ka theksuar se ndërtimi i kësaj shkolle është bërë pa u përfill procedurat ligjore për kthimin e kësaj prone nga shoqërore në atë komunale.

“Është shumë e vërtetë, pasi kemi marrë detyrën e kryetarit të Komunës, gjatë kontakteve të cilat i kemi pas me zyrtarët nga AKP-ja, na është thënë që objekti i Shkollës fillore të mesme të ulët ‘Ibrahim Rugova’ është ndërtuar në pronën e ‘Javorit’ që tashmë e dimë të gjithë këtu në Podujevë dhe fatkeqësisht ndërtimi i saj ka ndodhë fare pa i përfillur procedurat ligjore, të cilat duhet ndërmarrë me qëllim të shpronësimit të asaj prone dhe kthimit të saj në pronë publike (komunale v.j.)”, ka thënë Shpejtim Bulliqi. “Ne sigurisht që nuk u ikim përgjegjësive të cilat bien si institucione të komunës. Informacionet që i kam, tashmë kjo lëndë ndodhet në Dhomën e Posaçme që merret me çështje të pronave të AKP-së dhe sigurisht që duke e pas parasysh këtë fakt që kjo veç ndodhet si lëndë në Gjykatë, ne nuk kemi mund të ndërmarrim asnjë veprim tjetër derisa gjykata ta thotë fjalën e vet. Sigurisht që në momentin që të vihet një vendim përfundimtar nga Gjykata, ne do të jemi të gatshëm si institucione t’i përfillim të gjitha ato vendime të cilat rrjedhin nga Gjykata”.

Në Gjykatën Supreme thonë se gjyqtari i çështjes është i ngarkuar me lëndët më të vjetra se kjo dhe prioriteti i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme është të kryhen lëndët më të vjetra.

“Ju njoftojmë se në DHPGJS-së është regjistruar lënda me numër C-III-22-0187, me paditës: Agjencia Kosovare e Privatizimit në emër dhe për llogari të NSH. ’’Ekonomia e Pyjeve’’ me seli në Podujevë me të paditur: Komuna e Podujevës. Kjo lëndë është përcjellë në kompetencë në DHPGJS-së nga Dega e Gjykatës Themelore Podujevë, lënda është ndarë në punë, por gjyqtari i çështjes është i ngarkuar me lëndët më të vjetra se kjo lëndë, dhe prioriteti i DHPGJS-së është të kryhen lëndët më të vjetra deri në 2014”, ka thënë Antigona Uka, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Përfaqësuesi i punëtorëve të ish-Javorit, Fehmi Ismajli ka treguar se 70 për qind e numrit të përgjithshëm punëtorëve të “Ekonomisë Pyjore” kanë vdekur përgjatë afro 24 vjetëve.