Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” po e shet rrymën shumë më lirë se çmimi me të cilin tash Kosova po importon, sipas kryetares së re të Bordit të kësaj ndërmarrjeje, Hyrmet Mydyti. Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se nga bordi i shkuar ka mbetur një kontratë ndërkombëtare të cilën e ka cilësuar të dëmshme dhe të pafavorshme. Ka thënë se kjo kontratë po trajtohet në aspektin ligjor e juridik.
Madje, sipas saj, kjo ndërmarrje s’po mund të ndihmojë në krizën energjetike në vend sepse marrëveshja bën që “Ibër-Lepenci” të shesë rrymën me çmim prej 38.11 euro për megavat për orë, ndërsa Kosova tash po e blen atë me çmim prej 60 deri 300 euro për MWh.
“Përkthyer në gjuhën e një tregtari të thjeshtë, i bie që mallin tënd e blen 7-10 herë më shtrenjtë se sa je duke e shitur!”, ka thënë ajo.
Në shkrimin në Facebook ajo e ka cilësuar të dëmshme këtë marrëveshje duke thënë se kontrata është e lidhur me çmim fiks për tre vjet, transparenca ka qenë e kufizuar e se s’ka pasur konkurrencë dhe krahasueshmëri të ofertave. Pikë të katërt në mesin e arsyeve përse e sheh si të dëmshme këtë marrëveshje, Mydyti ka thënë se është edhe fakti se udhëheqja e procedurës së publikimit të shitjes është bërë nga vetëm një zyrtar i prokurimit.
“Kontrata është lidhur me shumë finesë sa që duhet një ekspertizë e thellë për t’i dhënë rrugë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq të premten, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i shqiptoi gjobë “Ibër-Lepencit” për shkelje ligjore të konstatuara për kontratën e shitjes së rrymës.
“Bordi i ZRRE ka marrë vendim në seancën e sotme për shqiptimin e dënimit me Gjobë ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike ‘Ibër Lepenc’ SH.A. (HC UJMANI), për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në lidhje me vazhdimin e Kontratës për shitjen e energjisë elektrike në kundërshtim me Procedurën për Tregtimin e Energjisë Elektrike, në shumën prej 110,705.00 € (njëqind e dhjetëmijë e shtatëqindepesë mijë Euro) që përbënë 5% nga te hyrat e realizuara nga aktiviteti i shitjes së energjisë elektrike për vitin 2020”, thuhet në njoftim.
Ngritja e çmimit të rrymës në botë ka bërë që vendi të hyjë në krizë energjetike. Sipas KEDS-it, Kosova po paguan shumëfish më shumë për import të rrymës gjatë dimrit në krahasim me vitet e shkuara. Kjo kompani ka kërkuar ngritjen e çmimit, ndërsa kërkesa do të shqyrtohet nga ZRRE-ja. Qeveria tashmë ka ndarë mjetet për të ndihmuar në importimin e rrymës.