Arbëri

I mbijetuari i masakrës së Poklekut: Më mbuloi gjaku i vëllait të vrarë

I mbijetuari i masakrës së Poklekut, Leutrim Caraku, në “Interaktiv” të KTV-së ka treguar për tmerrin e përjetuar më 17 prill të vitit 1999.

Caraku tregoi se si në një dhomë të shtëpisë ku ishin vendosur afro 60 veta, policët serbë kishin hedhur fillimisht granatë e më pastaj kishin filluar të shtien.

Caraku 9-vjeçar në atë kohë, tregon se si gjaku i vëllait të tij të vrarë e kishte mbuluar atë.

“Në atë dhomë ku ndodhi masakra ishin mbi 60 vetë. E kanë hetuar që jemi ne, erdhën dy policë e folën me Sinanin e Ymer Elshanin. E thanë se duhet me dalë jashtë me ditë sa jemi brenda. Më kujtohet se kemi dalë deri te gjysma e korridorit e na kthyen prapë brenda. I morën Sinanin e Ymerin dhe 200-300 metra më poshtë i vranë. Nisëm të bërtisnim nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Ka ardhur një polic shpejt i ka gjujt xhamat që mos me mujt me dal jashtë. Ka ardh te dera e në gjuhën e tyre tha se derën duhet me mbajt mbyll. Te dhoma e kanë gjuajtur një bombë me gaz, e më pastaj një bombë tjetër që ka shpërthyer. Më kujtohet se më kanë rënë shumë trupa përmbi. Më pas më ka humb pak vetëdija”, thotë Caraku. “Pas një kohe më është kthyer vetëdija. E hapsha syrin kqyrsha kapak. E shihsha tu gjujt. E kisha pas kryt e vëllait në faqe, plumbi e kishte rrok në kokë, e gjaku i tij më kishte mbulu”.

Caraku ka treguar se në masakrën ia vranë dy vëllezërit dhe nënën po ashtu.

“Ata menduan se i vranë krejt, e është ngritur pastaj Lumnije Muçolli me vajzën Arbenitën. Tha kush është gjallë të çohen. Aty pati të mbijetuar tjerë, që nuk arritëm me i nxjerrë. Gruaja e Xhavitit, djali i Xhavitit, djali i Ilmisë. Ne kemi shkuar në katin e tretë, i shihshim ku janë vendosur forcat serbe. Unë fillova me lyp nënën, se vetëm atë nuk e pash. Nganjëherë ende mendoj se është gjallë se nuk e pash trupin e saj. Kemi zbrit poshtë dy-tri herë. Djali i Xhavitit nuk ishte i plagosur i tham ana djalin. Tha jo , po thirrne dikon. Kemi dal kemi shku me një shtëpi tjetër. Lumja tregoi se çfarë ka ndodhur, nuk na besojshin njëherë. Por, na panë me gjak e i tham pastaj se ka të mbijetuar. Por, më pas e pamë se shtëpisë ia kishin vënë flakën”, tregon Caraku.

Caraku ka thënë se fillimisht nuk e kuptonte se çfarë kishte ndodhur pasi i dukej si një ëndërr e keqe. Ai thotë se e kuptoi vetëm kur një dajë e tij e çoi në Dobroshevc te babai, që ishte ushtar.

Ai thotë se me babanë ishte takuar një javë pas tmerrit të përjetuar.

“Më nuk doja të largohesha nga babai se thojsha me humb edhe atë nuk du. Ku shkojke ai unë i shkojsha pas”, tha Caraku.

Në masakrën e Poklekut u vranë 53 civilë shqiptarë, prej tyre 23 ishin ndër 18 vjet.