Visar Ballovci, gjatë kohës së luftës, për gati tre vjet kishte përjetuar tortura në burgjet e Serbisë, raporton KTV.
Ndër torturat më të tmerrshme, thotë ai, ka qenë ajo në burgun e Dubravës.
Ballovci kishte parë nga afër se si në mënyrën më barbare, nga ushtarët serbë, po masakroheshin shqiptarët.
Disa herë ishte zgjedhur nga paramilitarët serbë që të ekzekutohej, por më 21 maj të 1999-s, ai u transferua në burgun e Lipjanit, për të vazhduar më tutje në atë të Nishit.
Aty, thotë se ka parë vdekjen me sy, derisa po e torturonin me mjete të ndryshme, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë.
Për të gjitha këto përjetime, tash e më shumë se një vit, ai ka mbledhur dëshmitë që argumentojnë krimet ndaj shqiptarëve, që kanë ndodhur në burgun e Dubravës.
Me to ai ka përgatitur padi, përmes së cilës do të kërkojë drejtësi nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Ballovci beson se do të ketë drejtësi, duke dokumentuar krimet e serbëve ndaj shqiptarëve edhe përmes këtyre fotografive.
Nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, rreth një mijë të burgosur në burgun e Dubravës përjetuan tmerrin nga forcat serbe, ku u vranë e u masakruan rreth 160 persona, ndërsa u plagosën rreth 300 të tjerë.