I mbijetuari i masakrës së Çikatovës së Vjetër të Drenasit, Petrit Morina, e ka quajtur të tmerrshme masakrën të cilës i ka mbijetuar 24 vjet më parë. Ai ka thënë se në këtë masakër janë vrarë mbi 24 civilë të pafajshëm, vetëm pse kanë qenë shqiptarë.
Morina e ka quajtur të egër e të çmenduar ata që ia ekzekutuan familjarët. Ka thënë se mund të kenë qenë edhe nën ndikimin e drogës apo të alkoolit.
I mbijetuari i masakrës ka thënë se numri i dëshmitareve për masakrën po zvogëlohet çdo ditë, pasi që disa prej tyre vetëm se kanë vdekur.
Morina ka thënë se më së shumti për 24 vjet i mbetet merak që kriminelët të sillën para drejtësisë. “Kam dhënë dëshmi për EULEX-in, për Hagën, por Prokuroria e Kosovës nuk ka ardhur asnjëherë për të më intervistuar”, ka theksuar Morina.
Ai ka deklaruar se është momenti i fundit për t’u vënë drejtësia në vend për të gjitha krimet e kryera.
Në rrëfimin e tij në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se mëngjesin e 17 prillit të vitit 1999 fshati Çikatovë ishte i rrethuar.
Ai ka treguar se me forcë dhe me dhunë forcat serbe i kanë nxjerrë nga shtëpitë, dhe gratë dhe fëmijët i kanë nisur në drejtim të Drenasit, kurse burrat i kanë ndaluar.
“Çdo katër-pesë shtëpi, qysh i kanë tubuar edhe i kanë vrarë në pesë grupe, kanë ardhur prej shkollë së fshatit kanë hyrë në ‘Lagjen e Makollëve’, kanë ardhur tek shtëpia e Zenel Morinës edhe i kanë ekzekutuar, aty nga gjashtë njerëz vetëm i vjetri Zenel Morina ka vdekur, ndërsa pesë të tjerë kanë shpëtuar, kanë vazhduar, unë kam qenë në grupin e dytë, kemi qenë 9 persona, kam pas babanë, vëllanë dhe axhallarët, na kanë vendosur në oborr dhe pa kurrfarë shkaku dhe arsyeje janë shprazur dy rafalë automatiku”, ka rrëfyer Morina.
Ai ka treguar se në vend kanë vdekur katër persona, ndërsa kanë shpëtuar katër, dy me e dy pa plagë. “Kemi qenë rresht për dy, 9 vetë, unë as vetë nuk e di jam rrëzuar, mrekullia e zotit kur do me të shpëtu, unë kam shpëtuar pas asnjë plagë, axha Sokol me një plumb në jakne, ndërsa Selmani më një plagë, kurse kushërini Emin me tri plagë të rënda”, ka treguar Morina.
Ai ka treguar se në mesin e të vrarëve ka qëndruar për rreth 3 orë. Pas kësaj ka thënë se bashkë me një kushëri të plagosur janë fshehur pas një ode dhe kanë parë se si forcat serbe plaçkitnin shtëpitë e fshatit.
Morina ka thënë se në mbrëmje është kthyer tek kufomat dhe ka marr një çantë të babait ku ai ka pasur ushqim e barna.
Bashkë më të plagosurin ka thënë se janë nisur drejt minierës së fshatit, në një rrugë të cilën ai e ka përshkruar si shumë të vështirë.
Morina ka treguar se këtë rrugë që në kushte normale e bënte për 7 minuta, atë ditë e kanë bërë për 3-4 orë.
Ai ka rrëfyer edhe për momentin kur e ka takuar axhën e tij Sokolin, gjithashtu i mbijetuar. “Po ngjitem përpjetë edhe në një gropë po e shoh axhën, i thash Sokol, më tha Petrit, edhe jemi përqafuar, më tha qe 24 orë më mundon problemi juaj, i babës, i vëllait edhe i imi, ka qenë një lajm i gëzueshëm edhe për mua edhe për atë, që mos të mbetet pjesa tjetër e familjes pa mbështetje”, ka treguar Morina, duke shtuar se që nga ajo kohë deri më 13 korrik kenë mbijetuar nën gurët e minierës, nëpër male, skuta e shtëpi të djegura.
Ka thënë se natën kanë hyrë nëpër shtëpitë e tyre dhe kanë marr ushqim.
Morina ka treguar edhe se si forcat serbe i kanë zhvarrosur të vrarët dhe i kanë dërguar në Rudnicë në Serbi në një varrezë masive. Ka treguar se mbetjet mortore të familjarëve janë kthyer në Kosovës tek në vitin 2015.
Ai ka thënë se nën gurët e minierës kanë qëndruar edhe pas çlirimit të Kosovës më 10 qershor, deri më 13 korrik, duke mos e ditur që forcat serbe ishin larguar nga vendi.
Më 13 korrik ka thënë se disa fëmijë të fshatit janë afruar tek miniera dhe atëherë kur i kanë pyetur se të kujt janë e kanë kuptuar që Kosova ishte çliruar.
Ka thënë se familjarët e tyre kanë mbajtur edhe të pame për ta, duke menduar se ata kishin vdekur.
ka treguar edhe për kthimin e tij me axhën dhe të mbijetuarit e tjerë në fshat. “Kur kemi hyrë në fshat i gjithë fshati është ngritur në këmbë, doli Petriti, doli Sokoli, doli Selmani, lind një pyetje se ku kanë jetuar këta njerëz, na kanë quar në kontrolle tek mjekët”, ka rrëfyer Petriti.