Rreshteri i Policisë së Kosovës, Sh.S i cili dyshohet se kreu vrasjen e një të riu në kazino në Suharekë të dielën, ka të kaluar kriminale.
Ai në vitin 2015 –të ishte i akuzuar për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16 vjeçare, raporton KTV.
Për këtë, inspektorati policor e kishte suspenduar atë dhe më pas transferuar në sektor tjetër.
Por, ky nuk është rasti i vetëm që Sh.S është përfshirë.
Nga dhjetori i vitit të kaluar, ai është duke u hetuar edhe për dy vepra të tjera penale “falsifikim i dokumenteve dhe “keqpërdorim i pozitës zyrtare”.
Në një përgjigje për Kohavisionin, të Inspektoratit Policor thuhet se hetimet e deritashme kanë treguar se i dyshuari Sh.S nuk ka qenë në detyrë zyrtare në kohën kur ka kryer vrasjen në kazino.
IPK nuk ka dashur të jap detaje nëse arma me të cilën është kryer vrasja ka qenë zyrtare e as për motivin e vrasjes me arsyetimin se hetimet janë në fazën fillestare.
Ndërkaq, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka fotografi me të dyshuarin për vrasje, ka komentuar lidhjet e tij me të.
Muharremaj ka treguar se aq sa ua lejon ligji, kanë nisur inspektimin e kazinove dhe mbylljen e atyre që nuk plotësojnë kushtet për operim.
Pas këtij vendimi, inspektorët e kësaj komune kanë kryer vizita në secilën kazino për t’i kontrolluar ato.
Qytetarët e mirëpresin një vendim të tillë, megjithatë thonë se është i vonuar.
Qytetarët thonë se Kosova duhet të marrë shembull nga Shqipëria dhe t’i mbyll lojërat e fatit.