Brenda disa ditëve, një nga vrasësit më famëkeq të klanit të Zemunit, do të ulet në aeroportin e Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë. Më 17 janar do të arrijë nga Spanja, vrasësi Sinisha Petriq “Zenica”, shkruan “Raport.ba”. Ai do ta vuajë dënimin me burgim në Foçë të Bosnjës.
Petriq njihet si krahu i djathtë i mafiozit Luka Bojoviq dhe njihet për disa prej vrasjeve më gjakftohtë dhe të rënda nëpër Evropë.
Petriq dyshohet se me ekipin e tij vrau 95 shqiptarë të burgosur në Dubravë mes 22 dhe 24 maj të vitit 1999. Po ashtu dyshohet për vrasjen në kafenenë “Panda”.
Petriq aktualisht po vuan dënim në Valencia të Spanjës, ku më parë ishte arrestuar së bashku me Bojoviqin.
Bojoviqi është duke u endur i lirë tashmë nëpër Beograd e vrasësi i tij me pagesë Petriq, së shpejti mund t’i bashkohet.
Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut të Banja Llukës, thuhet se Petriq do të transferohet në burgun e Foçës. Do të duhet të vuajë atje tri vjet dënim, por supozohet se do të qëndrojë një vit, e “me sjellje të mirë” do të lirohet më pas.
“Sipas informatave nga ‘Raport’ ai ka kërkuar që ta vuajë pjesën tjetër të dënimit në Bosnjë-Hercegovinë, gjë e cila u pranua nga Gjykata e Qarkut në Banja-Llukë në rrethana të çuditshme. Nuk është e qartë mbi çfarë baze gjykata ka pranuar kërkesën e tij, duke qenë se nuk është kompetente në asnjë bazë. Mbi të mund të ketë juridiksion vetëm gjykata në Zenicë, bazuar në vendlindjen e tij, sepse Petriq ka lindur në atë qytet nga ku edhe e ka marrë pseudonimin”, thuhet nga “Raport.ba”.
Ky vendim ka ndezur alarmin në Bosnjë, te institucionet e sigurisë.
“Vendimi i gjykatës, siç zbulon ‘Raport’, ka ndezur alarmin në gjitha agjencitë e policisë dhe të inteligjencës së Bosnjë-Hercegovinës, që janë habitur me vendimin, sepse praktikisht nuk ishin fare të njoftuara. Pyetja është se si është rënë dakord për këtë ‘ekstradim’ dhe në çfarë kushtesh dhe nëse Ministria e Drejtësisë e Bosnjë-Hercegovinës e ka ditur këtë. Por është fakt se për çdo gjë është njoftuar Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës”, thuhet nga “Raport.ba”. “Ajo që po e shqetëson policinë dhe agjencitë e inteligjencës është se çfarë do të ndodhë me Petriqin pasi të dalë nga burgu, duke qenë se ai njihet si një psikopat për të cilin vrasja e njerëzve është një përshkrim normal i punës. Veçanërisht është shqetësuese që emri i Petriqit përmendet shpesh në aplikacionin ‘Sky’ nga kriminelë të tjerë që e shohin atë si një lloj ‘hyjnie’ mafioze”.