Arbëri

I bëhet apel Qeverisë të mos ia lejojë vizitën Vuçiqit

Aleksandar Vuciq

Ministria e Punëve të Jashtme ka demantuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ka kërkuar që të vizitojë Kosovën. E, ish-diplomatë thonë se edhe nëse kërkesa bëhet, një vizitë e këtillë nuk duhet lejuar, pa ndryshuar paraprakisht Vuçiqi qëndrimin në raport me sulmin në Banjskë dhe pa e ndryshuar diskursin që, sipas tyre, është edhe më agresiv sesa i Millosheviqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka bërë kërkesë zyrtare për të vizituar Kosovën, pavarësisht se një ditë më parë deklaroi për synimin për ta realizuar vizitën.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kërkesë të tillë nga Vuçiqi nuk ka pasur as vitin e shkuar, kur pati bërë paralajmërimin tjetër.

“Ju konfirmojmë që deri më tani MPJD-ja, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë kërkesë për vizitë në Republikën e Kosovës nga përfaqësuesit e autoriteteve nga Beogradi, respektivisht z. Vuçiq”, thuhet në përgjigjen e këshilltarit për media në ministri, Leutrim Sahitit.

Të premten, Vuçiq ka deklaruar se ka kërkuar që të vizitojë Kosovën dhe t’i drejtohet qytetarëve serbë.

“Kam kërkuar edhe të shkoj në Kosovë dhe t’i drejtohem popullit. Do të ishte mirë që të respektohen marrëveshjet dhe të flasim me njerëzit në tokën e shenjtë serbe”, ka thënë Vuçiq.

Njohës politikë thonë se nëpërmjet vizitave, Vuçiqi po i mban gjallë synimet e Sllobodan Millosheviqit.

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka listuar disa nga synimet.

“Mbajtjen gjallë të strategjisë të viteve 1980 të Millosheviqit, e cila synonte të ndërtonte një komunikim të drejtpërdrejtë me serbët lokalë të Kosovës. E dyta, të nxiste një mosdëgjueshmëri ndaj autoriteteve të Kosovës dhe e treta viktimizimi i serbëve”, ka thënë Syla. “Pra, qëllimi i tij është për të manipuluar dhe për të paraqitur gjoja se këtu ka një kauzë serbe”.

Ukshini që është edhe studiues i historisë dhe thotë se sjellja e presidentit të Serbisë, jo vetëm pas sulmit të Banjskës, është jashtë çdo norme që mund të ketë një udhëheqës.

“Mbi të gjitha, tendenca për të glorifikuar krimet e Millosheviqit tregon se ky njeri nuk meriton, është e papranueshme që të shkelë në tokën e Kosovës, për aq sa ai mohon paturpësisht çdo krim që ka ndodhë në Kosovë”.

Sipas tij, Vuçiqit nuk duhet lejuar vizita në Kosovë, pa ndryshuar paraprakisht qasjen.

“Ka një marrëveshje të Brukselit që bëhen me kërkesë vizita të tilla. Por, mendoj që duhet specifikuar qartë që nëse Vuçiq nuk distancohet nga ngjarjet e Banjskës ku ka ndodhë edhe vrasja e policit kosovar dhe nëse ai nuk ka një tërheqje nga deklaratat e tij luftënxitëse, unë mendoj që duhet t’i vendoset vijë e kuqe edhe nëse bëhet një kërkesë e tillë”, thotë Ukshini, tek vlerëson se retorika e Vuciqit, në disa raste është edhe më agresive se sa ajo e Millosheviqit. “Ka kaluar koha kur Vuçiqi tenton të krijojë probleme që kanë krijuar edhe në të kaluarën. Unë mendoj që nuk mund të krijohen në shekullin 21 raporte normalizuese, raporte fqinjësore me politika të shekullit 19 e me instrumente të shekullit 20”.

Paralajmërime për vizitë në Kosovë, presidenti i Serbisë ka bërë vazhdimisht. Për herë të fundit, në shtator të vitit të shkuar kur tha se për ta vizituar Kosovën e pyet popullin serb e jo kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq e ka vizituar shtatë herë Kosovën, por vetëm një herë në cilësinë e presidentit të Serbisë. E ka bërë këtë në 2018-n, që është vizita e fundit e tij, kur qëndroi dy ditë në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për vizitat të ndërsjella, e cila është arritur në kuadër të dialogut teknik të Brukselit në vitin 2014. Vizitat ishte thënë se duhet të zhvillohen në atë mënyrë që nxisin procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por marrëveshja është shkelur çdoherë kur ka pasur tensionim të situatës mes dy vendeve.