Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të martën, ka vazhduar rigjykimi ndaj Remzi Shalës, i cili akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile. Në këtë seancë i akuzuari ka propozuar dëgjimin e një dëshmitari dhe për këtë çështje trupi gjykues ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së tij.
Shqyrtimi kryesor në rigjykimin ndaj Remzi Shalës, i cili nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës akuzohet për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit, ka vazhduar të martën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Në këtë seancë ka vijuar procedura e provave, me ç’rast pala mbrojtëse e ka konsideruar si të domosdoshme dëgjimin e dëshmitares Minire Përteshi, për të cilën përfaqësuesi i palës së dëmtuar ka pohuar se gjatë kësaj jave mund të paraqitet në Gjykatë.
Në të njëjtën kohë, i akuzuari ka propozuar dëgjimin e dëshmitarit Emrush Guri ose Kodra dhe trupi gjykues ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e adresës së tij. Po ashtu, me vendim të trupit gjykues dhe me pëlqimin e palëve, janë lexuar deklaratat e dëshmitarëve Shefqet Përteshi, Bashkim Elshani, Bajram Qatani, Jetullah Qari dhe Bajrush Luzhnica, të dhëna në gjykimin e mbajtur më herët, e të cilët ndërkohë kanë ndërruar jetë, gjë që është vërtetuar me leximin paraprak të certifikatave të vdekjes.
Pasi që palët nuk kanë pasur propozime të tjera, seanca është ndërprerë.
Avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, ka pohuar se administrimi i provave në këtë rast po shkon drejt fundit.
“Bëhet fjalë për rigjykim, bëhet fjalë për procedurën e provave, e cila është gati në fund të administrimit të provave. Ka mbetur ardhja e një dëshmitareje, e cila ka mbetur pa u dëgjuar dhe atë shkaku i mospajtimit të avokatit mbrojtës që të lexohet ajo deklaratë nga gjykimi i kaluar dhe ka mbetur që eventualisht të sigurohet dëshmitari i propozuar nga mbrojtja, gjë që ishte një propozim jo i plotë, madje edhe joserioz, duke mos i dhënë as emrin e mbiemrin e plotë, aq më pak adresën, e të tjera”, ka thënë Hoxha.
Ai ka sqaruar se në mungesë të këtyre dy dëshmitarëve, seanca e radhës është shtyrë për të enjten dhe se pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve, pritet edhe deklarata e të akuzuarit.
“Në gjykimin e kaluar i akuzuari nuk është deklaruar fare, është mbrojtur në heshtje, ndërsa në këtë gjykim i njëjti trumbeton se do të flasë, do të deklarohet, se i duhet një javë, siç e dëgjuat edhe ju vetë, dhe do të jetë shumë interesant të shohim se çfarë do të thotë ai pas një heshtjeje të gjatë”, ka deklaruar Hoxha.
Gjykata Themelore e Prizrenit, në korrik të vitit 2019, pati njoftuar për shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj Remzi Shalës, për bashkëkryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, duke e dënuar me 14 vjet burg. Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë aktgjykim, duke e zbritur dënimin ndaj Shalës në 10 vjet burgim. Ndërkaq Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020, e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzonte Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë tjerë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël. Në këtë aktakuzë theksohej se Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e UÇK-së bashkë me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.
“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998, trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhej në aktakuzë.