Arbëri

I akuzuari për kalim të 99 valixheve pa kontroll vazhdon punën në Aeroport

Ka më shumë se një vit e gjysmë prej kur Martin Alekovit, mbikëqyrësit të Sistemit Automatik në Aeroportin e Prishtinës i është ngritur aktakuzë për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, por përkundër kësaj, punëtorët e aeroportit thonë se, ai vazhdon ta ushtrojë detyrën e njëjtë në ANP. Bashkë me Alekovin, të akuzuar janë edhe tre ish-punonjës të sistemit X Ray, por këta të tre aeroporti i ka larguar nga puna.

Zyrtari që mbikëqyr Sistemin Automatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ka aktakuzë të ngritur për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Pavarësisht kësaj, tash e 20 muaj, Martin Biserov Alekovit i është lejuar ta vazhdojë punën në Aeroport.

Alekovi akuzohet se më 19 gusht të 2019-s, gjatë grevës së punëtorëve të Aeroportit, kishte lejuar kalimin e 99 valixheve për në depon e Aeroplanit, pa kryer procedurat e nevojshme të kontrollit.

Gjatë asaj kohe, një pjesë e punëtorëve të Aeroportit, që kanë qasje në atë zonë të sigurisë e që kanë qenë në grevë, kanë tentuar ta ndalin kalimin e valixheve, por për këtë veprim ata thonë se Aeroporti i ka larguar nga puna.

“Kam marrë lajmin që është bërë shkelje, po hyjnë valixhet pa u kontrolluar dhe veprimin që e kam marrë - kam ndalë pullën e sigurisë për shirit e kam blloku dhe është ndalë, puna është ndërprerë totalisht. Dhe unë për këtë veprim të nesërmen jam suspenduar”, ka thënë Hamëz Kryeziu, ish-përgjegjës për ngarkim në ANP.

Bashkë me Alekovin, po akuzohen edhe tre operatorë të X-Ray të cilët gjatë asaj kohe kishin qenë në grevë.

Visar Xhekaj, njëri nga të akuzuarit thotë se është ironike se si personi që ka lejuar kalimin e valixheve vazhdon të jetë në punë, ndërsa ata që nuk kanë punuar fare pasi kanë qenë në grevë, janë edhe të akuzuar edhe janë larguar nga puna.

“Para skadimit të kontratës rreth një muaj më herët, ne jemi lajmëruar nga administrata se kontrata jonë nuk do të vazhdojë, ndërsa personi i cili ka lejuar kalimin e valixheve në mënyrë të jashtëligjshme kemi marrë vesh më vonë prej kolegëve që ai ende vazhdon të punojë aty edhe pse është i akuzuar për një prej shkeljeve më të mëdha që mund të ndodhin në sigurinë e Aeroportit”, është shprehur Xhekaj, ish-operator i X-Ray në ANP.

Për punëtorët është e papranueshme se si aeroporti vazhdon ta mbajë në punë Alekovin.

“90 e sa valixhe me hy pa kontroll kjo është një shkelje e rëndë, domethënë e ka cenuar sigurinë kombëtare. Edhe sot ai person me emrin Martin, që e njoh mirë, i kanë thënë çka je duke bërë, ka thënë unë jap përgjegjësi, turqisht, në atë gjuhën e vet si flet. Ky është një fakt që ai vazhdon të punojë edhe pse ka vepër penale”, ka deklaruar Kryeziu.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim Alekovi ka rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Kosovës në Arenën Ndërkombëtare.

Përmes burimeve të saj, KOHA ka marrë vesh që pas incidentit, institucionet kosovare i kanë kërkuar Menaxhmentit të ANP-së t’ia ndalojë Alekovit qasjen në zonën e sigurisë.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme rreth kësaj kërkese dhe raportimeve se ai vazhdon të punojë pikërisht në atë zonë, por kjo Ministri nuk ka dhënë hollësi meqë, ka thënë se, raporti i saj për hetimin e këtij rasti është klasifikuar si konfidencial.

“Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Departamenti për Siguri Publike, përmes inspektorëve për siguri të aviacionit civil, ka përcjellë situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” gjatë periudhës së mbajtjes së grevës (datë 19.08.2019) nga ana e personelit të aeroportit. Inspektorët për siguri të aviacionit civil të MPB-së pas përfundimit të grevës dhe pas hetimeve të kryera kanë dalë me raport zyrtar, ky raport është dërguar te menaxhmenti i ANP ‘Adem Jashari’ dhe te Policia e Kosovës. Raporti në fjalë është i klasifikuar dhe nuk mund të japim detaje për këtë rast”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka pyetur drejtorin dhe zyrtarë të tjerë të Aeroportit të Prishtinës rreth kësaj çështjeje, por ata nuk kanë kthyer fare përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Martin Alekov.