Arbëri

I akuzuari Buja mungon në seancë, avokati thotë se ai nuk ka qasje në telefon

Për të katërtën herë ka dështuar seanca në rigjykimin e të akuzuarve në rastin “Veteranët”. Ajo është shtyrë për datën 31 tetor, meqë ka munguar i akuzuari Shukri Buja. Gjyqtari ka lëshuar urdhëresë që në këtë datë Buja të sillet në gjykatore

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin “Veteranët”, për shkak se ka munguar i akuzuari Shukri Buja, ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes. Vetëm këtë vit seancat janë shtyrë tri herë.

Gjyqtari Gazmend Bahtiri ka thënë se për të pandehurin Shukri Buja do të lëshohet urdhëresë për shoqërim në seancën tjetër, e cila do të mbahet më 31 tetor. Sipas tij, Buja ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.

Por, avokati i tij, Fadil Jashari, i angazhuar sipas detyrës zyrtare, ka thënë se Buja nuk ka qasje në telefon.

Përveç Bujës, të akuzuar të tjerë në këtë rast janë: Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej rreth 89 milionë eurosh.

I akuzuari Faik Fazliu dhe mbrojtja e tij kanë ngritur si shqetësim mospranimin e shkresave të lëndës.

Por prokurori Valdet Gashi ka thënë se ato i ka dorëzuar me kohë.

“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka dorëzuar të gjitha shkresat e lëndës, të gjithë të pandehurve që përfshihen në aktakuzë dhe këtë e dëshmojmë me vetë fletëdorëzimet të nënshkruara nga ta ose mbrojtësit e tyre”, ka thënë prokurori Gashi.

Në prill të 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë të gjithë të akuzuarit i ka liruar nga akuza. Vitin e kaluar Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim këtë rast, pasi që Themelorja i kishte liruar të gjithë të akuzuarit pasi kishte vlerësuar se dyshimet për abuzim me listat e veteranëve nuk ishin vërtetuar.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Gjykata e Apelit kishte dhënë vërejtje të shumta për punën e Gjykatës Themelore në këtë rast. Apeli kishte gjetur shumë shkelje në vendimin e shkallës së parë.

Sipas Apelit një pjesë e të akuzuarve nuk kishin pranuar fare të deklaroheshin gjatë gjykimit, por në fazat e hetimeve kishin dhënë dëshmi në Prokurori. Këto dëshmi nuk ishin pranuar si prova dhe sipas Apelit kjo ishte gabim.

Që nga prilli i vitit 2022, përfshirë seancën e së enjtes, gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së ka dështuar katër herë – një herë me kërkesë të prokurorit e tri herë të tjera si pasojë e mungesës së të akuzuarave. Seanca e radhës është caktuar më 31 tetor.