Arbëri

Hysni Gucati lirohet për vizitë familjare

I dënuari nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burg, Hysni Gucati, ka arritur të hënën në Kosovë për të vizituar familjen.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale e kanë konfirmuar për KOHËN, se Gucatit i është lejuar ardhja në Kosovë për shkak të vdekjes së babait të tij, ditë më parë.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z.Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep.

Babai i Hysni Gucatit vdiq më 27 maj. Disa ditë para vdekjes së tij, Gucati ishte liruar për vizitë nga Haga, për ta vizituar babanë që atëkohë ishte i sëmurë rëndë.

Tashmë ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale për disa nga pikat e aktakuzës që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës e pengim të personave zyrtar. Për të njëjtën vepër dhe të njëjtën periudhë, u dënua edhe zëvendësi i tij, Nasim Haradinaj.