Profesori Flamur Hyseni ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese ka dalë përtej interpretimit kushtetues, me aktgjykimin në rastin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i partisë së dytë për kah fuqia e votës, është caktuar mandatar për ta formuar Qeverinë. Ai konsideron të jetë me urgjencë amandamentimi i Kushtetutës, veprim i vetëm ky që, sipas tij, do të mund ta mbronte atë nga shndërrimi në mjet politik
Profesori Flamur Hyseni ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese ka dalë përtej interpretimit kushtetues, me aktgjykimin në rastin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i partisë së dytë për kah fuqia e votës, është caktuar mandatar për ta formuar Qeverinë. Ai konsideron të jetë me urgjencë amandamentimi i Kushtetutës, veprim i vetëm ky që, sipas tij, do të mund ta mbronte atë nga shndërrimi në mjet politik.
Hyseni është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht në katedrën administrativo-kushtetuese.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka komentuar Aktgjykimin e Kushtetueses, ka treguar se si vende të tjera e kanë të rregulluar çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë dhe veprimet që pasojnë pas mocionit, si dhe ka dhënë propozime konkrete për ndryshimin e Kushtetutës, e me të cilat do të evitoheshin ngërçet politike që i ka përjetuar Kosova e edhe krizat politike sikurse kjo e tashmja.
KD: Z. Hyseni, si e vlerësoni përmbajtjen e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me Dekretin e Presidentit që ka të bëjë me mandatarin për formimin e Qeverisë së re? Përbën interpretim ai, apo “shkrim” të normave të reja kushtetuese?
Hyseni: Aktgjykimi është mjaft voluminoz, por që ka sjellë një zgjidhje përtej interpretimit, çka nuk e ka për autorizim Gjykata Kushtetuese. Si i tillë, aktgjykimi duhet të respektohet, por respektimi më i mirë bëhet kur për të njëjtën çështje të amendamentohet Kushtetuta.
Normat juridike-kushtetuese e ka mandatin që t’i miratojë vetëm legjislativi – Kuvendi. Në rastet e paqartësisë së normës ose normave juridike-kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ushtron veprimtarinë e interpretimit dhe në asnjë rast nuk mund të bëhet interpretim që del jashtë materies rregulluese. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese ka bërë interpretim të zgjeruar që ka dalë jashtë materies rregulluese të kushtetutës për çështjen konkrete, pasojat e votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit.
Kushtetuta e secilit vend e ka për qëllim t’i pamundësojë diskrecionet ose t’i minimizojë, ndërsa me këtë aktgjykim është mundësuar diskrecion përtej materies rregulluese në Kushtetutë.
Edhe në gjykatat kushtetuese të vendeve tjera kanë trajtuar çështjen e mocionit të mosbesimit ose votëbesimit të Qeverisë. Bie fjala, ajo e Bullgarisë ka vendos në tre raste që janë ndërlidhur direkt ose indirekt me çështjen e mocionit të mosbesimit – më 1992, 1994 dhe 2011. Në të tre rastet e ka ruajtur normën kushtetuese, e ka sqaruar kuptimin e saj, por nuk ka dalë jashtë materies rregulluese dhe nuk ka bërë interpretim të zgjeruar.
KD: A e ka në mandat Gjykata të nxjerrë “norma” të reja për çështjet sikurse është afati, ani se për të Kushtetuta rri e heshtur?
Hyseni: Kësaj here, edhe pse nuk është shprehimisht e përcaktuar në Kushtetutë që Presidenti i Republikës ka të drejtë ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë, sikurse në fazën fillestare sipas nenit 95 të kushtetutës, Presidenti, tashmë ka bërë një veprim të tillë, pasi që partia që ka numrin më të madh të deputetëve nuk është përgjigjur. Pra, e ka dekretuar kandidatin e partisë që është e dyta për ka numri i deputetëve në Kuvend.
Gjykata Kushtetuese nuk ka interpretuar dhe përcaktuar kuptimin e dispozitave aktuale, ka interpretuar aq gjerësisht sa ka dalë jashtë materies rregulluese kushtetuese.
Jo kjo Gjykatë, por asnjë Gjykatë nuk mund të krijojë norma juridike, por vendos mbi bazën e atyre që janë në fuqi. Gjykata Kushtetuese nuk e ka autorizimin që t’i plotësojë zbrazëtirat në kushtetutë. Ka mundur të rekomandojë amendamentimin, madje personalisht kam pritur se do të bëjë rekomandim të tillë sepse do të ishte një rekomandim që vjen nga një institucion jopolitik, por tipik profesional sepse çështja e cila nuk është mjaftueshëm e rregulluar me kushtetutë, është tipike profesionale për t’u trajtuar.
KD: Çfarë parashohin kushtetutat e vendeve tjera për situatën e ngjashme?
Hyseni: Kushtetutat e shteteve tjera në Evropë, i kanë të rregulluara situatat e pasojave juridike që i prodhon mocioni i mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, dhe i kanë të përcaktuara shprehimisht në dispozita kushtetuese. Këtë e bëjnë duke e përdorë metodën e referimit në dispozitat për zgjedhjen e qeverisë, si në fazën fillestare ose duke e rregulluar qartë me dispozitë kushtetuese se cili është veprimi. Me këtë mënyrë rregulluese e kanë pamundësuar çdo mundësi interpretimi lidhur me pasojat juridike të zbatimit të dispozitave kushtetuese lidhur me mocionin e mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë. Një rregullim të tillë nuk e ka Kushtetuta e Kosovës në nenin 82.2 dhe 100. Për shembull, e kanë shumë mire të rregulluar Kushtetuta e Shqipërisë, Greqisë, Sllovenisë, Gjermanisë dhe Spanjës.
KD: Realisht, çfarë është hapësira e fushëveprimit që Presidentit ia lejon Kushtetuta në rrethanën e pasmocionit?
Hyseni: Një nga aspektet që e rregullon në mënyrë të duhur marrëdhënien e legjislativit dhe ekzekutivit dhe rolit të Presidentit në këtë marrëdhënie, është çështja e paraqitjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë dhe votëbesimi që e kërkon Qeveria nga Kuvendi. Mënyra se si është e rregulluar aktualisht, krijon mundësi të shumta të interpretimit të dispozitave kushtetuese si rezultat i pasojave juridike që i prodhojnë, sepse kjo mund të shfrytëzohet si mundësi vullneti – diskrecioni se, a dëshiron apo jo Presidenti i Republikës ta shpërndajë Kuvendin. Kushtetuta duhet të shmang çdo mundësi që e mundëson shprehjen e vullnetit të bartësve institucionalë, duke e rregulluar në atë mënyrë që vullneti i tyre duhet të krijohet përmes normave kushtetuese, por jo normat kushtetuese të zbatohen nën vartësi të vullnetit të bartësve institucionalë.
Pasojat politike mund të janë të mëdha kur kushtetuta ka zbrazëtira sepse partitë politike pa dallime me çdo kusht e duan diskrecionin, jo vetëm në Kosovë, çdokund, por çdokund thuajse është pamundësuar kjo, sidomos kur Parlamenti ushtron kontrollin parlamentar, por edhe kur shfrytëzon paraqitjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Kjo është e rregulluar saktë për shembull në Shqipëri. Pse të mos e marrim këtë model të rregullimit. Për këtë, Shqipëria nga 1992 asnjë herë nuk ka pasur këso lloj krizash, sepse asnjëherë deri më tani nuk ka pasur mocion mosbesimi ose votëbesimi ndaj Qeverisë dhe mandati i Kuvendit është fiks, sipas afatit kushtetues, pra katër-vjeçar. Madje, çuditem se pse kur është draftuar kushtetuta jonë nuk është marrë modeli i Shqipërisë. Kosova në këtë përvojë parlamentare që është e pamjaftueshme, me këto 12 vite që është në fuqi kushtetuta, kishte tre mocione mosbesimi ndaj Qeverisë, më 2010, 2017 dhe 2020. Pikërisht për këtë fakt asnjë herë, që prej hyrjes në fuqi të kushtetutës më 15 qershor 2008, nuk është përfunduar mandati i plotë i Kuvendit. Rregullimi aktual kushtetues i ka mundësuar sjellje diskrecionale Presidentit, të cilën e ka bërë në koordinim me grupet parlamentare, por kjo krejt si rezultat mungesës së rregullimit kushtetues.
KD: Çfarë prodhon një Aktgjykim i tillë? Pra, cilat janë pasojat?
Hyseni: Nuk besojë se ky aktgjykim do të duhej të prodhonte pasoja në të ardhmen, sepse do të duhej të amendamentohej kushtetuta për këtë çështje, sepse në të kundërtën do të shndërrohej në mjet tipik politik dhe pastaj do të dalë nga qëllimi, i cili tani mund ta ketë pasur daljen nga një krizë, por mund të shkaktojë kriza tjera. Nuk duhet krijuar logjikë të tillë që të paraqitet nevoja për ta interpretu edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke hapur edhe raste tjera. Nëse nuk amendamentohet kushtetuta për çështjen e mocionit të mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, ky aktgjykim nuk do t’i përshtatet asnjërës nga partitë politike parlamentare, sidomos fituesit të zgjedhjeve. Pa dyshim, pastaj nëse ndodhë mocioni me pasojat e njëjta, prapëë mund të kërkohet nga Gjykata Kushtetuese për të dhën interpretimin dhe mund të ketë interpretim tjetër.
KD: Pra, duhet përgatitur se një precedent i këtillë sjell probleme politike apo edhe juridike në të ardhmen?
Hyseni: Referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, që e përmenda paraprakisht, se kishte dhënë interpretim në tri raste që kishin të bëjnë lidhur me mocionin e mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, më 1992, 1994 dhe 2011, mendojë se, në të ardhmen, nëse nuk amendamentohet kushtetuta për këtë çështje, do të ketë rast në Gjykatë Kushtetuese afërsisht të njëjtë për nga natyra e rastit aktual, sepse mocioni i mosbesimit dhe kërkesa e votëbesimit do të vijnë në shprehje prapë në fillim apo në gjysmën e mandatit të Qeverisë. Shumë kushtetuta evropiane i kanë të rregulluar edhe afatet se kur mund të shpërndahet Kuvendi. Për shembull, e saktësojnë që nuk mund të shpërndahet dy here për të njëjtën çështje apo Presidenti nuk mund ta shpërndajë nëse ai është në vitin e fundit të mandatit. Gjykata Kushtetuese do të duhej të marrë për bazë praktikën tashmë të shumë njohur parlamentare, 100 ditëshin e Qeverisë.
KD: Nisur nga fakti se ngërçet e shpeshta politike janë pasojë e zbrazëtive kushtetuese, sa është e nevojshme të amendamentohet Kushtetuta, në funksion të evitimit të ngërçeve të këtilla?
Hyseni: Në prag të dymbëdhjetë vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ajo ka pësuar një nga sfidat më të mëdha në historinë e saj. Si zakonisht, sfidat kushtetutave i vijnë nga akterët politik, por që janë edhe bartës institucionalë të kompetencave kushtetuese. Natyrisht se, kjo nuk është hera e parë që kjo kushtetutë po sfidohet.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, domosdoshmërisht do të duhej sa më parë ta rishikojë Kushtetutën, duke e amendamentuar në aspektet e marrëdhënieve ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit dhe rolit të Presidentit të Republikës në këto marrëdhënie. Aktgjykimi nuk duhet ta zëvendësojë amendamentimin e Kushtetutës. Aktgjykimi mund të ndihmojë momentalisht për ta zgjidhur problemin, por përsëritja e problemeve të kësaj natyre do do të duhej evituar duke e amendamentuar kushtetutën, veçmas në nenin 82.2 dhe 100.
Amendamentimi i kushtetutës duhet të bëhet duke rregulluar qartë pasojat juridike, lidhur me mosbesimin dhe votëbesimin ndaj Qeverisë. Aktualisht, në nenin 100 të kushtetutës, nuk ka një dispozitë se, cilat veprime duhet t’i ndërmarrë saktë Presidenti i Republikës, në rastin kur kemi votim të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë ose në rastin kur kemi refuzim nga Kuvendit të kërkesës së kryeministrit për votëbesim të Qeverisë. Mënyra se si është shkruar në nenin 82, paragrafi 2, lidhur me veprimin e Presidentit të Republikës për shpërndarjen e Kuvendit, kur ka mocion të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë, është e përgjithësuar dhe nuk i referohet asnjë dispozite paraprake se kur duhet të vie në shprehje zbatimi i nenit 82, paragrafi 2. Madje, nuk është e përcaktuar në po këtë nen se çka ndodhë nëse Kuvendi e refuzon kërkesën e kryeministrit për votëbesimin e Qeverisë. Kjo është lënë krejtësisht të varet nga vullneti i partive politike parlamentare dhe Presidentit të Republikës. Rasti i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë më 25 mars 2020 e ka dëshmuar këtë, sepse Presidenti nuk e ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, por e ka dekretuar propozimin për mandatarin e formimit të Qeverisë nga partia parlamentare e dyta me numrin më të madh të deputetëve. Kjo nuk rregullohet me asnjë dispozitë kushtetuese. Nuk mund të aplikohet dispozita e njëjtë për situatë ndryshe.
KD: Z. Hyseni, ku do të duhej ndërhyrë në Kushtetutë, në mënyrë që të evitohen situatat politike që Kosova i ka përjetuar?
Hyseni: Me rastin e amendamentimit të Kushtetutës, lidhur me çështjen e mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, duhet të rregullohen dy konceptet teorike – koncepti i mosbesimit të qeverisë, i tipit konstruktiv ose koncepti i mosbesimit të qeverisë i tipit destruktiv, që afërsisht është në kushtetutë, por që duhet të shtohet një paragraf i ri, i gjashti, te neni 100. Unë blerësoj që ky paragraf i ri duhet ta ketë përmbajtjen “Pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë ose refuzimit të kërkesës për votëbesim të Qeverisë, Kryeministri i kërkon Presidentit në afat prej 48 orëve shpërndarjen e Kuvendit”.
Ndërsa, te neni 82, paragrafi i dytë duhet ri-rregulluar. Përmbajtja e re që sugjeroj, do të ishte: “Presidenti i Republikës së Kosovës duhet të shpërndajë Kuvendin brenda dhjetë ditësh nga kërkesa e kryeministrit, sipas nenit 100.6 të kushtetutës dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme”.
Për të normuar me dispozita kushtetuese situatën e ngjashme me atë të 15 marsit, atëherë paragrafi i parë i nenit 100 duhet ndryshuar, në kuptim që “Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke e propozuar njëkohësisht për ta zgjedhur kandidatin tjetër për ta formuar Qeverinë”.
Ndërsa amendamentimi i paragrafit të dytë të nenit 82, duhet të bëhet duke e fshirë këtë nen, sepse sipas rregullimit të lartpropozuar është i paobjekt dhe duhet të shtohet një paragraf i ri, i shtati, te neni 100, me këtë përmbajtje: Në rast të refuzimit të kërkesës për votëbesim të Qeverisë, sipas paragrafit 2, Presidenti i zbaton dispozitat e nenit 95 të kushtetutës”.
Me rastin e amendamentimit të kushtetutës, lidhur me çështjen e mocionit të mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, komisioni përkatës, duhet të marrin për bazë mënyrën e rregullimit kushtetues të çështjes së mocionit të mosbesimit dhe votëbesimit ndaj Qeverisë, siç e ka rregulluar Kushtetuta e Shqipërisë, Greqisë, Sllovenisë, Spanjës dhe Gjermanisë.