Ish ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Ylber Hysa, derisa ka folur për raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se do të ketë rregulla të tjera të lojës.
Sipas tij, do të ketë një realitet të ri në raportet e diplomacisë, pasi që rrethanat tani janë tjera.
Hysa ka vlerësuar se me administratën Trump, do të ketë më pak mirëkuptim dhe më pak vesh për ta dëgjuar, siç ka thënë ai, populizmin e palës tjetër.
“Do të ketë një realitet të ri, në të cilin këto raporte të diplomacisë në rrethana tjera do të jenë tjetër lloj, do të jenë me më pak mirëkuptim, me më pak takt dhe me më pak vesh për të dëgjuar palën tjetër, e cila thirret në principe dhe pranon marrëveshje e nuk implementon. Tani do të jenë rregulla tjera të lojës dhe në këto rregulla do të ketë më pak mundësi për të shitur ideologji apo populizëm dhe të hyjnë në raporte që janë kontraktuale dhe më pas nuk ka implementime”, ka deklaruar ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Hysa: Serbia ka bërë lidhje të hatashme me republikanët dhe lobin izraelit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, ka deklaruar se Serbia ka angazhuar diplomatë ekstra në Kombet e Bashkuara dhe në Shtetet e Bashkuara për çështje të ndryshme, ndërsa tha se Kosova këtë s’po e bën.
Sipas Hysës, institucionet e Kosovës e kanë pasur traditë lobimin në SHBA por “tash i kemi lënë anash”.
“Gjuriqi ka pasur ndikim direkt në Uashington. Është lidhur me republikanët e me lobin izraelit ka bërë depërtime të hatashme, ndërkohë në që kemi pasur traditë të lobimit në SHBA, i kemi lënë anash dhe jemi në një situatë kur duhet të pyetemi se çfarë hapash duhet të marrë kjo administratë”, ka shtuar ai në "Konfront" të KTV-së.
Hysa: Çdo lloj paqeje në pako për Ukrainën do të mund të përfshinte edhe Kosovën
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, ka deklaruar se çfarëdo lloj paqeje që do të arrihej në Ukrainë do të mund të përfshinte edhe shtetin e Kosovës,
Ai ka shtuar se paqja ndaj agresionit rus “do të ishte rivendosje e një paqeje në konotacione më afatgjate”.
Hysa ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se Rusia tashmë e ka shkelur rendin evropian, e sipas tij, tendenca ruse s’është vetëm për një copë tokë ukrainase.
“Tendenca ruse është që ka shkelur rendin evropian me agresionin ndaj një vendi. Nëse Rusia mund të imponojë një lloj paqeje tjetër, që lidhet me atë që është vendosur në një paqe pas Luftës së Dytë Botërore, përpjekja e tillë do të ishte për të vendosur një paqe të Jalës, që do të rregullonte raportet e sigurisë për 50 vitet e ardhshme në Evropë”, ka thënë Hysa.
Hysa: Nominimi i Rubios, lajm i mirë për gjithë Evropën
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, ka thënë se nominimi i Marco Rubios është lajm i mirë për të gjithë Evropën.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hysa ka thënë se Rubio ka lidhje të ngushtë me Republikanët klasikë.
Sipas tij, për shkak se presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, vlerësohet si i paparashikueshëm, vendosja e tij në postin e sekretarit të shtetit është lajm i mirë.
“Z.Rubio ka qenë shumë i afërt me Bushët, pra është njeriu që ka qenë i lidhur me Republikanët klasikë. Është aty për të ushtruar një memorie dhe z.Rubio megjithatë është lajm i mirë për të gjithë ata që prisnin të shihnin se çfarë kahe do të marrë politika e jashtme amerikane, duke e parë imazhin e presidentit Trump si dikush që vlerësohet si i paparashikueshëm. Prandaj edhe ardhja e z.Rubio edhe për një pjesë të Evropës është parë si lajm i mirë. Ndoshta nuk është lajm i mirë për Kinën, pasi z.Rubio është në listën e zezë të Kinës. Do të ishte interesant për të parë nëse do të vinte ndonjë takim në Pekin, si do të udhëtonte atje një njeri që është në listë të zezë”, ka thënë Hysa.