Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, në emisionin “60 Minuta” ka folur për zhvillimet në Ballkan.
Hysa ka thënë se Ballkani është në tension sa herë që kryeqendrat në perëndim janë në vakum gjeopolitik.
“Ballkani është aty sepse shumë procese që janë nisur aty kanë mbetur në pezull dhe kjo ka të bëjë me një lloj vakumi në politikat evropiane për zgjerim që kanë mbajtur peng rajonin për një kohë të gjatë” ka thënë ai.
Duke folur për Malin e Zi, tha se atje është krizë e hapur qeveritare.
“Ajo që kemi në Mal të Zi është një krizë e hapur qeveritare. Filloi si përpjekje për ta rrëzuar kryeministrin, mbaroi si përpjekje për ta reformuar atë ku do kyçeshin edhe elementet e frontit demokratik. Kemi të bëjmë me një situatë absurde ku vetë shumica është në krizë por që nuk po merret hapi përfundimtar ku do të mund ta rrëzonte këtë qeveri”.
Hysa pret që në pranverë të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Kjo qeveri disi rri pezull dhe nuk do isha çuditur që vitin e ardhshëm do prisnim një krizë që do çonte te zgjedhjet e parakohshme”.
Hysa ka thënë se anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, në veprimet e tij llogarit në mbështetjen ruso-kineze.
“Provokimi në Bosnjë është në mënyrë më direkte reflektues i gjendjes në Evropë. Dodik është i trimëruar në këto rrethana, ka mbështetje edhe nga shtetet në Këshillin e Sigurimit si Kina dhe Rusia”.
Ballkani, theksoi Hysa, është vetëm përkujtues i situatës në të cilën gjenden garantuesit e marrëveshjes paqësore në Ballkan. Ndërsa, foli për veprimet e Serbisë në gjithë krizën në Ballkan, tha se reagimet e botës perëndimore karshi veprimeve të Serbisë po mungojnë.
Duke komentuar vizitat e zvndihmës sekretarit amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, në Ballkan, Hysa tha se ai u mundua të tregojë se SHBA-ja do transformim të Ballkanit.
Ndërkaq, teksa komentoi vizitat e ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se Grenelli po shfrytëzon Ballkanin për të ndërtuar karrierën e tij politike.