25 vjet pas çlirimit ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili atëkohë ishte komandant në zonën e Llapit, ka rrëfyer për natën kur njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin futur në Prishtinë.
Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së Maqedonci ka treguar si u futën me tri synime të qartë atë natë të 10 qershorit.
“Gjatë kohës së luftës kam qenë komandant i Batalionit të parë të Brigadës 153 që ka operuar në kuadër të zonës operative të Llapit dhe ka pasur zonë të operimit pjesën e Gollakut. Më 10 qershor 1999 pas një planifikimi goxha të gjatë nga zona operative e Llapit kemi marrë detyrë një pjesë e njësive të UÇK-së të futeshim në Prishtinë. Kishte tri qëllime futja në Prishtinë, një prej tyre ishte pengimi i ndonjë masakre të mundshme nga forcat paraushtarake dhe ushtarake serbe, pengimi i dëmtimit të pronave publike dhe private nga këto forca dhe krijimi i një ambienti të sigurt për qytetarët”, ka thënë ai.
Maqedonci ka treguar se natën kur UÇK-ja ishte futur në Prishtinë, kishte ngritur dy flamuj kombëtarë.
“Në atë kohë Prishtina ka qenë e dëmtuar shumë. Shumë pak banorë gjendeshin në Prishtinë dhe ata pak ishin të fshehur. Dy ditë para forcave të NATO-s ne kemi hyrë në Prishtinë, atë mbrëmje 10 qershor kemi ngritur dy flamuj kombëtarë në dy pozicione, në shkollën ‘Zenel Hajdini’ dhe në një shtëpi në rrugën e ‘Bledit”’.
“Kjo mundësoi që më 11 qershor Prishtina të çlirohet nga forcat okupatore serbe dhe më 12 qershor të prisnin NATO-n”, ka shtuar ai.
Maqedonci më tej kujtoi se më 11 qershor gjithkund në Prishtinë kishte njësi të UÇK-së.
Ndërsa, ka ndarë edhe një pjesë personale të tijën. Ka treguar për bisedën e parë që pati me nënën.
“Babai dhe vëllai kanë qenë edhe ata pjesë të UCK. Nënën e motrën e kisha në Tetovë. Telefonatën me nënën e kam bërë natën e 11 qershorit dhe kam pasur vështirësi ta bindë që së pari jam mirë e nuk jam plagosur”.
Pas 25 vitesh, Maqedonci e kujton me emocione çlirimin.
“Ka qenë emocionale... Lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s i kanë dhënë fund një projekti afatgjatë të Serbisë që ka filluar më 1878 me dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit i Vilajetit të Kosovës dhe projekt që ka vazhduar, dëbimi i shqiptarëve nuk ka përfunduar më 1878. Lufta e UÇK dhe intervenimi i NATO-s ka shënuar kthesë historike”.
Qindra ushtarë e policë nesër parakalojnë me armë të reja
Ministri i Mbrojtjes ka treguar se këtë vit, në 25-vjetorin e çlirimit, në sheshet e Prishtinës do të mbahet parada më e madhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai ka treguar se numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së e Policisë ndonjëherë, do të parakalojnë në sheshe me armatimet që janë blerë kohën e fundit.
“Nesër në 12:00 do të jetë parakalimi si aktivitet qendror i këtyre ditëve, do jetë parakalimi i FSK-së dhe Policisë. Do të marrin pjesë mbi 1500 pjesëtarë të FSK-së, do ketë qindra policë. Është numri më i madh ndonjëherë i pjesëtarëve të FSK-së që parakalojnë në sheshet e Prishtinës. Këta do bartin me vete edhe pajisje dhe sisteme armatimi individuale që janë blerë së fundmi. Për shembull do ketë pushkë automatike të reja, mitraloza që nuk janë parë më herët”.
Ndërsa, ka shtuar se më 13 qershor në Bruksel do të nënshkruhet memorandum me Lituaninë për pjesëmarrjen e Kosovës në Koalicionin e Deminimit.
Ka shtuar se njësitë e FSK-së po operojnë me dronët Bayraktar, edhe pse nesër nuk do të paraqiten para publikut.
“Dronët Byraktar janë funksionalë, njësitë tonë operojnë me ta, i testojnë dhe trajnohen me këta dronë. Po janë të armatosur, dronët Bayraktar kryejnë dy funksione një është vëzhgimi dhe dy është mbështetja luftarake. Bayraktar është numër i mjaftueshëm për të mundësuar operacionalitetin e FSK-së”.