Arbëri

Hyn në fuqi kufizimi i lëvizjes, vendimi vlerësohet antikushtetues

Gjykata Kushtetuese vendimet e qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes i kishte rrëzuar, dhe sërish Qeveria tani e udhëhequr nga LDK-ja ka vendosur që të veprojë njësoj pas shtimit të numrit të rasteve me COVID-19.

Por ky vendim do të ishte legjitim vetëm atëherë kur të miratohet Ligji për pandeminë, vlerësojnë njohës të sistemit kushtetues në vend.

“Janë vendime arbitrare, janë vendime që janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, por që përsëris se qytetarët duhet t’i respektojnë këto masa jo për shkak të Qeverisë, por për shkak të vetvetes, familjarëve dhe miqve…Kryeministri duhet të dijë se s’ka bazë ligjore, kryeministri duhet të dijë se po u shkelen të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Ehat Miftaraj i IKD-së.

Kushtrim Palushi thotë se vendimet e qeverisë Hoti për kufizim të lëvizjes janë edhe më kundërkushtetuese se vendimet e mëhershme të qeverisë Kurti.

“Ky vendim është edhe më kundërkushtetues sesa vendimet e mëparshme të qeverisë Kurti për arsye se është shumë i paqartë. Nuk i referohet dispozitës konkrete ligjore dhe nuk ka bazë ligjore të mjaftueshme për mënyrën si është kufizuar. Megjithatë, nëse askush nuk e konteston në Gjykatën Kushtetuese ajo mbetet në fuqi. Nëse kontestohet nga deputetët apo kushdo Gjykata Kushtetuese do ta shpallë atë kundërkushtetues”, thotë ai.

E në mbrojtje të vendimit për kufizim të lëvizjes u shpreh zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, i cili tha se vendimet janë në kuadër të Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, raporton KOHA.

"Qeveria në kuadër të ligjit që ekziston në katër komuna, që ka një numër të madh të të prekurve, ka bërë restrikcione të caktuara të cilat i ka marrë me vendim të ligjit. Por s’ka orë policore në Kosovë, ka kufizim të lëvizjes në katër komuna...në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, që besoj se do të mbahet të enjten, do të trajtojmë Ligjin për pandeminë”, ka thënë Tahiri.

Dy vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.