Arbëri

Humbësit e zgjedhjeve

Pas një mandati në krye të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari nuk do të jetë kryetar i kësaj komune për 4 vjetët e ardhshëm.

Në zgjedhjet lokale të së dielës, Jashari ka humbur zgjedhjet ku kundërkandidat kishte Fadil Nurën nga PDK-ja, i cili e fitoi garën pa balotazh.

Bekim Jashari mbrëmë përmes një statusi në Facebook ka reaguar pas rezultatit zgjedhor. Ai ka thënë se këto zgjedhje janë manipuluar nga PDK-ja.

“Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pavulosura në rreth 11 qendra të votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si ‘treni bullgar’. Po ashtu, mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë”, ka thënë Jashari.

KOHA ka provuar të kontaktojë Bekim Jasharin, për t’i komentuar këto akuza, por ai ka qenë i paqasshëm.

Kurse prapa kamerës nga shtabi i tij kanë thënë se në Komunën e Skenderajt janë blerë votat dhe se janë duke mbledhur fakte që të ankohen në PZAP.

Ndërkaq, nga Shtabi i PDK-së, KOHËS i kanë thënë se njëherë nuk do të prononcohen për media për fitoren e tyre, për shkak të respektit ndaj familjes Jashari.

Zgjedhjet në Mitrovicë, që në rundin e parë i ka humbur edhe Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ishte duke udhëhequr me Komunën e Mitrovicës për 8 vjet.

Bahtiri për dallim nga Bekim Jashari e ka uruar Bedri Hamzën, i cili ka fituar me 53.86% të votave.

Ai ka thënë se këto zgjedhje ishin demokratike dhe se nuk kishte asnjë problem që do të ndikonte në rezultat.

“Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitoren. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t'ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Ndërrim të pushtetit ka pasur edhe në Komunën e Hanit të Elezit.

Refki Suma, që ishte kryetar i kësaj komune që nga viti 2009, nuk do të jetë më kryetar i kësaj komune.

Ai humbi zgjedhjet ndaj Mehmet Ballazhit të PDK-së, i cili ka marrë mbi 50 për qind të votave.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, në 21 komuna do të ketë rund të dytë të zgjedhjeve, kurse 17 veçse kanë përfunduar pa balotazh.