Nëpërmes fushatës “Fact Chaker”, Komuniteti për Siguri Kibernetike dhe Privatësi po synon që të luftojë lajmet e rreme dhe dezinformimin. Qëllimi i kësaj fushate, përveç identifikimit të lajmeve të rreme dhe mediave që prodhojnë lajme të tilla, është edhe përfshirja e qytetarëve në luftën kundër dezinformimit
Komuniteti për Siguri Kibernetike dhe Privatësi ka hapur fushatën “Fact Chaker”, me të cilën synohet luftimi i lajmeve të rreme dhe dezinfomimit. Qëllimi i kësaj fushate, përveç identifikimit të lajmeve të rreme dhe mediave që i prodhojnë ato, është edhe përfshirja e qytetarëve në luftën kundër dezinformimit.
Mentor Hoxhaj nga ky komunitet ka thënë se do të shpërndajnë fletushka për të informuar qytetarët për mënyrën e identifikimit të lajmeve të rreme dhe ka ftuar ata që nëse hasin ndonjë lajm të tillë t’i njoftojnë.
“Ne do të fillojmë me këshillat praktike se si ata mund të identifikojnë vetë lajmet e rrejshme, por jemi gjithmonë këtu për t’i ndihmuar ata për të verifikuar lajmet apo për të postuar dhe njoftuar qytetarët për lajmet e rrejshme dhe propagandën. Qëllimi i kësaj fushate është që qytetarët të përfshihen në mënyrë aktive në luftimin e lajmeve të rrejshme duke raportuar në identifikimin e lajmeve të rrejshme”, ka theksuar Hoxhaj.
Sipas tij, janë mediat online ato që më së shumti shpërndajnë lajme të rreme.
“Radio dhe TV qëndrojnë jashtëzakonisht shumë më mirë sa u përket lajmeve të sakta dhe të verifikuara, në relacion me mediat online. Kemi një numër të madh të mediave online dhe kemi një vrapim për të postuar dhe ky vrapimi për të postuar realisht bart rrezikun edhe postimin e lajmeve të rreme”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka theksuar se në Kosovë mungon sanksionimi i atyre që shpërndajnë lajme të rreme.
“Mediat online kanë një autoritet vetërregullues i cili tenton të kryejë punën e tij, dhe si hap i parë është që qytetarët të ankohen dhe më pastaj pas ankesës së parë të shkojnë edhe në gjykatë. Informacionet tregojnë që nuk kemi një numër të madh të qytetarëve të cilët ankohen, po flasim këtu për viktimat e lajmeve të rreme”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se ka tendencë të rritjes së lajmeve të rreme sa herë ka një gjendje të jashtëzakonshme, siç ka qenë pandemia e COVID-19 dhe tani invazioni i Rusisë në Ukrainë.
Në muajt prill dhe maj, Hoxhaj ka thënë se do të monitorojnë mediat online dhe në qershor do të publikojnë një raport që, ndër të tjera, do të tregojë mediat që kanë prodhuar lajme të rreme dhe numrin e tyre.