Ligjëruesi në Universitetin e Agderit në Norvegji, Abit Hoxha, ka thënë se zgjerimi i NATO-s është parapërgatitje në rast të sulmeve bërthamore, kimiko-biologjike dhe jo për sulme frontale.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Hoxha ka thënë se anëtarësimi i Suedisë në Aleancën veriatlantike është lajm historik për çështjen e sigurisë.
“Integrimet në NATO nuk bëhen vetëm për qëllim të linjave frontale të luftës, por edhe për qëllim të bashkëdyzimeve të veprimeve në rast të sulmeve me armë bërthamore, sulmeve biologjike e kimike. Vendet perëndimore që janë anëtare të NATO-s, duhet të flenë qetë sa i përket sulmeve prej Rusisë sepse artikulli 5 mund të thirret nga secili shtet që është anëtar, i vogël a i madh. Parapërgatitjet janë në kontekstin e sulmeve bërthamore, sulmeve kimiko-biologjike, por jo sulme frontale”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhës, Suedia ka qenë e kërcënuar edhe më parë nga Rusia, nëpërmjet nëndetëseve në ujërat suedeze e edhe nga hapësira ajrore që është shkelur nga aeroplanët rusë.
“Finlanda, Suedia dhe Norvegjia kanë një kufi shumë të gjatë me Federatën Ruse dhe paralajmërimi rus para disa muajsh që Suedia do të kthehet në një Ukrainë të dytë, kjo ishte njëfarë ‘tigri prej letre’ sepse Suedia gjithmonë ka qenë ajo forca që nuk i është frikësuar Rusisë. Është një akt politik që shkon karshi me zhvillimet e fundit ndërkombëtare sepse Suedia ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha ushtrimet ushtarake dhe veprimet e NATO-s, por akti është më tepër politik për të treguar se çdo lëvizje e Federatës Ruse ndaj shteteve përreth vetëm se çon ujë në mullirin e NATO-s. Suedia ka qenë e kërcënuar edhe më parë gjatë disa vitesh, p.sh në ujërat suedeze gjithmonë ka pasur kërcënime prej nëndetëseve ruse, apo hapësira ajrore që është shkelur vazhdimisht nga aeroplanët rusë”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për rreziqet që i kanosen Kosovës dhe Suedisë, ai ka thënë se nuk mund të ketë krahasime mes dy vendeve sepse Suedia ndan një kufi të gjatë me Rusinë, e cila është kërcënim i madh, ndërsa Kosova kufizohet me Serbinë, e cila ka shtetet anëtare të NATO-s përreth që nuk e lejojnë të ndërmarrë veprime.