Arbëri

Hoxha: Situata në veri jostabile, s’ka hapësirë për rikthimin e policëve të dorëhequr serbë

Policia e Kosovës

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka shpalosur veprimet e ndërmarra deri më tani rreth policëve serbë që janë dorëhequr nga institucionet e sigurisë dy vjet më parë. Ai e përjashtoi mundësinë e rikthimit të tyre në Polici, tek tha se dorëheqjet kanë ndodhur si pasojë e presionit që mbi ta ka ushtruar Serbia. Në konferencën për media në lidhje me aktivitet e Policisë në komunat e banuara kryesisht me serbë ai foli edhe për sulmin në “Ibër-Lepenc” dhe për sigurinë në veri

 

Si jostabile dhe me shkallë të mesme rrezikshmërie e ka kualifikuar Policia situatën e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

 Në një konferencë shtypi mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se situata është e këtillë si pasojë e sulmeve të vazhdueshme që kanë ndodhur në këtë pjesë.

 

"Ne vlerësojmë që situata e sigurisë vazhdon të jetë jostabile në pjesën veriore por Policia e Kosovës po e bën të pamundurën me të gjitha kapacitete e saja në mënyrë që të garantojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë rend dhe ligj, vazhdim të punës së institucioneve, liri të lëvizjes gjithë njerëzve. Normalisht që ka vështirësi po që do të ja dalim që ta rikthejnë komplet rendin dhe sigurinë edhe në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Hoxha.

 

Tek foli për sulmin e fundit terrorist në kanalin e ujit në “Ibër-Lepenc” të Zubin-Potokut, Hoxha tha se hetimet për zbardhjen e rastit ende po vazhdojnë dhe se deri më tani janë zhvilluar disa operacione. Ai poashtu njoftoi se disa prej provave janë duke u ekzaminuar edhe jashtë vendit.

 

“Departamenti i Hetimeve është duke zhvillu hetime. Janë ndërmarrë një varg i operacione bastisjes, janë mbledhë disa dëshmi, armë, uniforma, eksplozivë e poashtu janë konfisku edhe të tjera dëshmi që mund të jenë relevante për rastin e të cilat janë duke u ekzaminuar nga Policia e Kosovës, nga laboratorë të ndryshëm, qoftë brenda Kosovës apo jashtë”, ka thënë ai.

Për zbardhjen e rastit tha se janë duke punuar ngushtë me EULEX-in e partnerët e tjerë ndërkombëtar.

 

Hoxha në konferencën për media u përballë edhe me kërkesën për të dhënë dorëheqje, pas rastit në Ibër Lepenc. Kërkesa i erdhi nga politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq.  “Kërkoj që të jepni përgjegjësi dhe të jepni dorëheqje për këtë që ka ndodhur”, ishte kërkesa e Arsenijeviqit.

 

Por, drejtori i Policisë, tha se nuk ka arsye për të marrë këtë veprim pasi sipastij, raste të tilla kanë ndodhur edhe më parë e mund të ndodhin sërish. “Nuk jap dorëheqje pse kërkon një individ. Unë jap dorëheqje kur më krijohet bindja se kam krijuar lëshime të rënda të cilat e kanë cenu sigurinë, respektin, besimin e qytetarëve tanë në Policinë e Kosovës dhe atëherë kur e humbi besimin e eprorëve të cilët më kanë emëru. E deri te kjo ska ardhë akoma. Jam krenar me atë që bëjë edje rastet e tilla kanë ndodhë dhe kanë me ndodhë”, ka thënë ai.

 

Hoxha foli edhe për policët serbë të dorëhequr nga detyra dy vjet më parë e për të cilët e përjashtoi mundësinë që sërish t’i veshin uniformat e Policisë së Kosovës.  “Shumica prej tyre janë marrë me aktivitete kriminale dhe të dyshimta, dhe në momentin e lëshimit të punës nga Polciia e Kosovës kanë nënshkruar kontrata me struktura paralele, ilegale të Serbisë në Kosovë. Kështu që aktualisht, baza jonë ligjore nuk lejon që dikush të japë dorëheqje dhe të kthehet kur të dojë, Kjo nuk lidhet vetëm me serbë, lidhet me çdo kënd tjetër”, ka thënë ai.

 

Drejtori i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur edhe për disa nga veprimet që kanë ndërmarrë ndaj zyrtarëve policorë serbë në mënyrë që t`ua mundësojnë punën në institucionet e sigurisë. Tha se me gjithë përpjekjet, komunikimi me ta ka qenë i pamundur. Sipas Hoxhës atyre fillimisht u është kërkuar që të plotësojnë formatin zyrtarë të dorëheqjeve pasi atë e kanë bërë me një letër të thjeshtë e të njëjtë nga të gjithë. Tha se kanë shkuar te shtëpitë e secilit prej tyre, i kanë kontaktuar përmes telefonit e u kanë dërguar shkresa.  “Në asnjë formë nuk kanë pranuar me komuniku”, ka thënë ai.

 

Ai tha se me diplomimin e gjeneratës së policëve të rinj në janar, numri i zyrtarëve policorë nga radhët e komuniteteve në veri do të jetë më i madh.

 

Ne mendojmë që me gjeneratën që do të diplomojë në fund të janarit ne do ti kemi 300 policë nga komunitete hapësirën tjetër do ta plotësojmë me konkurse të tjera. Me gjeneratën e re që do të diplomojë plotësohen nevojat që janë të parapara me numra”, ka thënë ai, duke shtuar se pozitat e lëna bosh nga zyrtarë serbë janë plotësuar edhe me tri konkurset, nga të cilat janë rekrutuar zyrtarë të rinj që nga viti 2022.

“Gjatë këtyre tri konkurseve ne kemi arrit të rekrutojmë diku 170 zyrtarë policorë, prej tyre 12 kanë dhënë dorëheqje pas presioneve që i kanë pas nga grupet e ndryshme të interesit, grupet kriminale”.

 

Në konferencën për media, Policia e Kosovës ua ka dorëzuar disa zyrtarëve serbë kartelat e policive në bashki të cilat do t' iu shpërndahen qytetarëve në lagjet e caktuara.  Me këto kartela, të cilat mbajnë të dhënat e policëve që janë përgjegjës për lagje të caktuar, jo vetëm në veri, sipas drejtorit Hoxha, synohet përafrimi i zyrtarëve policor me komunitetin.

 

Ai tha se plani për kartela të tilla ka qenë vite më parë por që ka mbetur i parealizuar për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve serbë. Sipas drejtorit të Policisë, këta zyrtarë të quajtur sektorial do të t`i kenë tri detyra kryesore.  “Të krijojë raporte miqësore mes policisë dhe komunitetit ku ka me shërby, e dyta do të jetë krijimi dhe përmbajtja e dosjes së sektorit: të dijë se sa njerëz janë në atë lagje, kush janë ata, çfarë biznese funksionojnë dhe pastaj këtë dosje ta mirëmbajë dhe ta freskojë. Dhe detyre tjetër do të jetë që të mbledhë informacione në lidhje me aktivitete kriminale që ndodhin në zonën e tij të përgjegjësisë”, ka thënë ai.

 

Në konferencën për media në lidhje me aktivitetet e Policisë së Kosovës në veri u prezantuan edhe disa të dhëna në lidhje me zhvillimet në komunat të banuara kryesisht me serbë. Sipas tyre nga janari deri në nëntor janë raportuar 716 raste të ndryshme e janë arrestuar mbi 350 persona.