Avokati Valdet Hoxha ka thënë se reagimi i ashpër i Bashkimit Evropian do t’i detyrojë institucionet e vendit që të kthehen disa hapa prapa lidhur me aksionin e Policisë të hënën në veri në gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Hoxha ka thënë se derisa nuk ka dështim të dialogut për këtë çështje, nuk duhet të ndërmerren veprime që mund të konsiderohen të njëanshme nga partnerët ndërkombëtarë.
“Derisa nuk ka një dështim të formatit të dialogut do të duhej të kufizoheshin disa veprime apo të koordinoheshin sepse pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë është e pamundur ta mendojmë sovranitetin klasik. Ndërkombëtarët po kërkojnë nga Kosova koordinim me qëllim që të mos e marrë barrën e përshkallëzimit të situatës sepse situata politike, diplomatike në veri dhe ajo e sigurisë, i tejkalon kornizat e të qenit situatë e sigurisë brenda një shteti. Reagimi i ashpër i BE-së do t’i detyrojë institucionet që të kthehen disa hapa prapa”, ka thënë ai.
Sipas tij, reagimi i ndërkombëtarëve tregon se është çështje e ndjeshme “dhe jo gjithherë çështjet ligjore të drejta për një shtet sovran bëhen njëanshëm siç ishte në rastin konkret”.
“Fatkeqësisht ishte aksioni i radhës i cilësuar nga partnerët ndërkombëtarë si i njëanshëm. Loja e Vuçiqit që me dinakëri e luan rolin e viktimës, po gjen terren të përshtatshëm me disa veprime që janë të ligjshme por në kohë të gabuar”, ka thënë Hoxha.
Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.
Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.
E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.