Ish-prokurori special Sylë Hoxha ka thënë se në të kaluarën “kapoja” i veriut, Millan Radoiçiq, ka qenë i paprekshëm nga institucionet e Kosovës. E tash, Hoxha nuk beson se më Radoiçiqi do ia mësyjë Kosovës pas veprave që ka kryer.
Radoiçiqi, përmes një letre që u lexua nga avokati i tij të premten, pranoi se ka marrë pjesën në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sylë Hoxha, tani i pensionuar, ishte një nga prokurorët që e kishte hetuar Radoiçiqin. Hoxha kishte lëshuar edhe urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin si të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, por që pas pensionimit të tij, thotë se dikush e ka tërhequr [urdhërarrestin].
“Nga informacionet që kam pas, ky ka qenë një person shumë i rrezikshëm dhe i paprekshëm prej institucioneve tona. Kam ardhur në përfundim se ky ka qenë një prej njerëzve kryesor që e kanë udhëhequr krimin e organizuar në veri. Unë i kam zhvilluar procedurat, kam lëshuar urdhërarrest. Në ndërkohë, pas pensionimit, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Përmes mjeteve të informimit e kam marrë vesh që u tërheq [urdhërarresti], por nuk e di se pse u tërheq”, ka thënë Hoxha në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas ish-prokurorit, Radoiçiqi ka gjetur përkrahje në Serbi dhe ka shkuar atje sa herë ka pasur nevojë. Ai kujton se kanë kryer një operacion për arrestimin e tij, por pati dështuar.
“Kur kam punuar unë, nuk kemi pasur këso bastisje [si sot]. Ne kemi pasur veç një bastisje për arrestimin e tij, por nuk u realizua qëllimi. Kishim informacionet se në cilën banesë jetonte, por nuk e gjetëm aty”, ka thënë ai.
Hoxha ka konsideruar si sukses operacionin e Policisë në Banjskë të Zveçanit dhe nuk beson më se Radoiçiqi do të vijë në Kosovë.
Për tre sulmuesit e armatosur që u arrestuan nga Policia e Kosovës, Hoxha ka thënë se në bazë të veprave penale që ngarkohen, dënimi i tyre mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm.
Nga përleshja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur të dielën në Banjskë të Zveçanit, mbetën të vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.
Gjatë ditës së sotme, autoritetet e Kosovës kanë kryer bastisje në pronat luksoze në veri që dyshohet se i përkasin Radoiçiqit, i cili është në "listën e zezë" të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.