Gzim Shala nga IKD ka deklaruar se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga një institucion të pavarur, do ta kthente këtë në institucion të varur nga Kuvendi.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se sipas ligjit, anëtarët e KPM-së do të zgjidheshin me shumicë të thjeshtë, por edhe do të shkarkoheshin me shumicë të thjeshtë, derisa shtoi se “nuk është problemi te KPM-ja, por te mediat”.
“Nëse mediat e shohin një KPM të politizuar, edhe ato mund të jenë subjekt i ndërhyrjeve”, ka thënë Shala.
Hodaj: Qeveria të punojë me ndërkombëtarët, ata mund ta shtyjnë para procesin e vettingut
Avokati Taulant Hodaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunojë ngushtë me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që sipas tij, të ecet para në procesin e vettingut. Ai ka deklaruar të enjten në Konfront të KTV-së se ekzistojnë vetëm dy zgjidhje në këtë rrugëtim.
“Ka dy zgjidhje. Ose të gjejmë një zgjidhje të përbashkët me partitë politike, ose me partnerët ndërkombëtarë të çojmë procesin përpara. Në Shqipëri ka pasur opozitë dhe me mënyrë të ashpër është kundërshtuar, por partnerët ndërkombëtarë e kanë çuar përpara”, ka thënë Hodaj.
Ai ka theksuar se me ndikimin e partnerëve ndërkombëtarë, edhe Lista Serbe do të votonte këtë çështje.
Shala: KPK-ja e ka keqpërdorur pavarësinë që e ka pasur
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka keqpërdorur pavarësinë kushtetuese që e ka pasur.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Shala ka thënë se ky është shkaku që ka qenë i domosdoshëm të kalojë Ligji për KPK-në nga ana Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, në këtë institucion ka mungesë të thellë të transparencës, ka mungesë të thellë të llogaridhënies dhe se në shumicën dërmuese të proceseve ka kontestime lidhur me shkelje ligjore.
“Kur ti tregon dhe i dëshmon KPK-së për shkelje, ata as nuk të përgjigjen për shkak se normalisht nuk ka asnjë mekanizëm llogaridhënës brenda Këshillit. Aktualisht njëri prej anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka qenë anëtar më herët i KPK-së. Ligji e thotë specifikisht që anëtari i KPK-së ka të drejtë një mandat pa të drejtë rizgjedhjeje. Ai ka qenë më herët anëtar i KPK-së dhe tani është bërë sërish. Kur i tregon se ligji ta ndalon, ai nuk përgjigjet për shkak se KPK-ja e ka keqpërdorur pavarësinë kushtetuese që e ka pasur. Dhe për këtë arsye ka qenë i domosdoshëm ky ligj që ka kaluar tashmë në Gjykatën Kushtetuese për t’u krijuar një balancë në KPK ku prapë prokurorët janë shumicë”, ka thënë ai.
Hoxha: PDK e LDK e dërguan në Kushtetuese Ligjin për KPK-në për ta zvarritur
Rinor Hoxha, ekspert juridik i Ministria e Drejtësisë, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës “me qëllim të bllokimit të procesit”.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se u synua zvarritja e procesit.
Sipas Hoxhës, është sukses që ligji kaloi me sukses.
“Ne jemi te propozimet e vitit 2021, ku kemi propozuar 7 anëtar...Ka pasur pengesa e vonesa, por vendimi i parë ka qenë më shumë se 9 muaj...Disa deputetë të PDK-së dhe LDK-së kanë vendosur ta dërgojnë në Kushtetuese jo për kontestim parcial të ligjit, por më shumë për zvarritje të procesit që ta bllokojë”, ka thënë Hoxha.