Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Gazmend Hoxha, ka thënë se kërkesat e Njësitit elitar të Policisë së Kosovës janë brenda mundësive buxhetore.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Hoxha ka deklaruar se ky problem zgjidhet vetëm me dialog midis përfaqësuesve të protestuesve dhe ministrit të Brendshëm.
“Kanë zgjedhur një moment që t’i adresojnë brengat e tyre të merituara. Tashmë në Policinë e Kosovës ka avancim edhe në grada edhe në shkollim, para kësaj pakënaqësie është bërë një analizë e mundësive buxhetore. Kërkesa është brenda mundësive buxhetore, por edhe nëse nuk është e mundur 100 për qind kërkesa të këtyre operatorëve të Njësisë Speciale, natyrisht që do të duhej një dialog i sinqertë, të ulur në tavolinë – ministri i Punëve të Brendshme me përfaqësues qoftë të sindikatës apo të grupit që po shpreh pakënaqësinë dhe në qoftë se është e pamundur, ata duhet të binden se këto janë pengesat dhe mundësitë”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhës, stafi i presidentes Vjosa Osmani u kamufluan me përgjigje qesharake kur u deklaruan rreth mungesës së njësitit në darkën e Lamës.
“Mungesa e njësitit që sot shprehu pakënaqësi, në darkën e Lamës te presidentja, ishte evidente dhe këshilltarët apo rrethi i presidentes dolën me deklaratë qesharake, duke thënë se disa ishin në darkë e disa të tjerëve ua dërguam darkën në vendet e punës, e kamufluan një përgjigje qesharake. Ky ishte joseriozitet, duhet të tregohet e vërteta”, ka thënë ai.
Hoxha ka vlerësuar se pamjet e së mërkurës në protestë të Njësisë Speciale të PK-së janë të rënda, pasi po ndodhin në kohën kur ata ballafaqohen me grupe terroriste nga Serbia.
“Është pamje e rëndë kur njësitë speciale të Policisë protestojnë në kohën kur çdo mëngjes presin të ballafaqohen me grupe terroriste nga një shtet që botërisht dihet se po i sponsorizon këto akte terroriste brenda territorit të Kosovës”, ka theksuar ai.