Arbëri

Hoxha: Kasta e vjetër e PDK-së ende me fuqi të madhe brenda, Gashi e ka humbur besimin e LDK-së

Erblin Hoxha

Njohësi i çështjeve politike, Erblin Hoxha, ka deklaruar se nevojitet risistemim në partitë opozitare në Kosovë. 

Sipas tij, kasta e vjetër e Partisë Demokratike të Kosovës ka ende fuqi të madhe brenda subjektit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka një problem të ristrukturimit, pra është partia e vetme që në zgjedhje nuk ka kandiduar me liderin e partisë për kryeministër. Kjo tregon mjaft shumë edhe për vetë liderin, sepse në këtë pikë nëse lideri do t’i merrte votat e njëjta apo do të kandidonte pas katër vjetësh ristrukturim dhe do ta merrte atë rezultat, do të ishte dekurajuese dhe kjo tregon që ka dy apo tri fraksione të ndryshme brenda vetë Partisë Demokratike ku kryetari aktual Krasniqi nuk arrin ta bëjë një rishpërndarje të elektoratit, apo një bindje më të madhe, po duket se kasta e vjetër e PDK-së ende e ka një fuqi jashtëzakonisht të madhe brenda. Pra tregon një mungesë të madhe të hapjes ndaj njerëzve të tjerë nga rajone të tjera dhe kjo është shqetësuese për demokracinë në Kosovë në përgjithësi, pasi është partia e dytë më e madhe në vend”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.

Teksa ka vlerësuar se ish-shefi i Grupit Parlamentar të partisë së dytë më të madhe opozitare, LDK, Arben Gashi, e ka humbur besimin e partisë. 

“(V.J. Arben Gashi) duket që fillimisht e ka humbur besimin e partisë, më pas të kryetarit të kryesisë ndonëse është edhe vetë pjesë e kryesisë. Rritja prej 5 për qind në LDK nuk ka ardhur prej kandidatëve që kanë qenë paraprakisht në Kuvend, pra ka ardhur prej kandidatëve të rinj. Edhe kjo është një betejë e brendshme e strukturave të LDK-së për ta bërë një ristrukturim”, ka thënë ai. 

Pamundësinë e ish-shefit të GP-së së AAK-së, Besnik Tahiri, për të siguruar ulëse në legjislaturën e re, Hoxha e ka parë si hap i fundit drejt greminës i kësaj partie. 

“Teksa ka folur për ish-shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ai ka thënë se “ky është prej rezultateve më shokuese në këto zgjedhje, ku e kemi një numër jashtëzakonisht të vogël të votave që e merr z.Tahiri, një prej deputetëve më aktivë në katër vjetët e fundit. Ndarja e numrit të deputetëve mes AAK-së dhe Nismës e ka penalizuar direkt një prej kandidatëve për deputet që ka qenë prej deputetëve më të zëshëm, por në anën tjetër i kemi familjarët e udhëheqësisë së AAK-së që blanko e marrin një votë dhe kjo sipas mendimit tim është hapi i fundit drejt greminës i AAK-së dhe NISMËS sepse me këtë votë është vështirë ta mbajnë elektoratin në zgjedhjet e radhës dhe është në shuarje e sipër kur një kandidat si Besnik Tahiri nuk hyn si deputet”, është shprehur ai.