Arbëri

Hovenier: Kosova të tregohet kreative në dialog, kështu hapet rruga drejt BE-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova duhet të tregojë vullnet të vazhdueshëm dhe kreativitet në dialogun me Serbinë në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se rruga e vetme drejt kësaj është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pasi sipas tij, bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta shohë Kosovën të avancojë në rrugën evropiane.

Hovenier gjithashtu përsëriti kërkesën e Shteteve të Bashkuara që të respektohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Bashkësia ndërkombëtare do që qartazi Kosova të avancojë në rrugën evropiane, pra keni krijuar kushtet për të arritur këtë dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Ne shpresojmë të shohim përpjekje të ripërtërira për të ecur para. Jam i vetëdijshëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe lehtësuesit. Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë progresin e Kosovës. Ajo që mund të them është se strategjia më e mirë në rrethana të tilla për Kosovën është të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm, kreativitet, energji, përkushtim dhe implemetin të obligimeve të cila i ka marrë, që i ndihmon procesit për të shkuar para”, tha Hovenier në panelin me temë “Hartimi i së ardhmes: Drejtimet e Politikave dhe Angazhimi Diplomatik”, në kuadër të konferencës ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik.

Hovenier ka thënë se asnjë shtet në botë nuk përfiton sikurse Kosova.

“Është një mision i NATO-s prej 4 mijë ushtarëve për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë”, ka thënë Hovenier.

Ai ka thënë se shpreson që “Qeveria e Kosovës t’i dëgjojë këshillat e dhëna” nga ndërkombëtarët.


Szunyog: Ndalja e dialogut është mbyllje e derës

Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, ka theksuar njësoj si homologu amerikan Hovenier, se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike është dialogu.

“Për mua e vetmja mënyrë për t’i arritur proceset e integrimit është dialogu. Ndalja e dialogut është mbyllje e derës”, ka thënë ai.

Tutje ai thënë se në qendër të interesit të Këshillit të Evropës po qëndron Evropa Lindore dhe aktualisht jo Ballkani Perëndimor. Sipas tij, BE ka pasur përpjekje të gjata në Ballkanin Perëndimor, por ka pasur çështje të pa kaluara nga shtetet. Ai ka përmendur edhe ndarjen buxhetore të bërë në shkurt, duke bërë krahasimin mes 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 6 miliardëve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse shohim procesverbalin e samiteve të Këshillit Evropian, koha më e madhe po kalohet duke u marrë me Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë dhe jo me Ballkanin Perëndimor. Mesazhet politike për zgjerimin me gjasë mund të përcaktohen nga zhvillimet në Evropën Lindore”, ka thënë ai.

Rohde: Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t'i kryejë

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde gjithashtu ka bërë thirrje për përmbushje të kërkesave gjatë procesit të dialogut, duke e ndërlidhur atë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Anëtarësimi i Kosovës është afër. Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë, këtë e mendoj kur them vendimet e duhura”, ka thënë ai.

Gërvalla: Duhet gjuhë e qartë penguese ndaj sulmeve e kërcënimeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se deri në vitin 2030, në aspektin diplomatik, gjuha kërcënuese duhet të ndëshkohet në mënyrë që në të ardhmen mos të ketë luftë.

“Shumë gjëra duhet të ndryshojnë deri në vitin 2030, për shembull duhet të ketë gjuhë të qartë të pengojmë sulmet apo veprimet ndaj atyre që kërcënojnë gjithë rajonin, jo vetëm vendin tonë, me luftë në të ardhmen. Për t’i parandaluar luftërat në të ardhmen, duhet të veprojmë në të tashmen, përndryshe do të jemi në pozicionin e njëjtë si në vitet e ‘90-ta”, ka thënë ajo.

Një deklaratë të tillë ministrja Gërvalla e bëri në sesionin “Përshkrimi i së ardhmes: Drejtimet e politikave dhe angazhimi diplomatik”, në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”. Në panel po marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Dialogu si i vetëm nuk mund të sjellë gjithmonë suksesin, në kohë lufte të kesh sukses në dialog të duhet pengimi, mbrojtja, diplomacia dhe vendimet. Tash në prill do të kemi diskutimin nëse Kosova do të ftohet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, pra të duhet dialogu, diplomacia me bisedime”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla në pyetjen se kush janë tre personalitetet që e kanë frymëzuar në rrugëtimin e saj diplomatik, është përgjigjur me Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Ibrahim Rugovën./RTK