Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se mesazhi i shtetit të tij është shumë i qartë dhe i thjeshtë, që Kosova dhe Serbia të veprojnë në përputhje të plotë me gjitha obligimet e marra në dialog dhe ta marrin seriozisht dialogun.
“Mesazhi ynë është i qartë se duhet angazhim për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet synimi i qartë i SHBA-së...Presim të dy qeveritë të veprojnë në përputhje me të gjitha obligimet e marra në dialog. Presim të marrin dialogun seriozisht. Një nga gjërat që më befason, në bisedimet që kam pasur me akterë të ndryshëm në Kosovë, është ky supozim se ka rrugë tjetër pos dialogut. Sugjerimi se nëse amerikanët, gjermanët, zgjedhin të favorizojnë dikë atëherë bëjnë disi me gishta apo shkop magjik e bëjnë diskutimet e duhura dhe Kosova menjëherë bëhet anëtare e NATO-s e BE-së dhe institucioneve tjera. Bota nuk funksionon ashtu”, tha Hovenier, në fjalimin e tij në Samitin e Kosovës për Paqe e Demokraci (KPDS) të titullar “Realitete radikale: dinamika etno-politike dhe integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor”.
Ai tha se po të varej nga SHBA-ja, Kosova do të ishte anëtare në organizatat euroatlantike e Serbia do të vinte afër pranimit të realitetit. Ai ka thënë se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në rrugën euroatlantike, por duhet angazhimi serioz në proces.
“Por, nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa pajtim nga BE-ja që nënkupton pajtim edhe nga gjitha shtetet anëtare e BE-së. Apo si bëhesh anëtare e NATO-s pa pëlqimin apo pajtimin nga të gjitha anëtarët e NATO-s. E dini se disa shtete të NATO-s ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove sovrane, demokratike, multietnike në mënyrën siç kemi bërë ne. Ne duhet t'i bindim. Duam të ndihmojmë. Kjo nënkupton puna në procesin e krijuar nga institucionet e caktuara. Gjyshi im ka thënë, dhe ju lutem më falni për karakterin e shëmtuar paksa, se nëse dëshiron të bëhesh pjesë e një klubi, atëherë mos urino te dera e klubit. Çfarë dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka thënë se duhet një përkushtim i ri më energjik në dialog.
“Po të mos kishim dialogun që e kemi aktualisht, çfarë do të shpiknim? Do të kishim, Kosovën, Serbinë dhe do të kishim lehtësuesin BE-në pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në Evropë, e do të kishim përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve tjerë. Pra, do të nisnim nga fillimi të njëjtën gjë. Duhet përkushtim i ri në dialog nga të gjithë, ndërkombëtarët, Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë. Ajo që na duhet është serioziteti dhe qëllimi në dialog. Duhet qasje e re më energjike nga të dyja palët. Negociuesit më të suksesshëm gjithmonë mendojnë për situatë ‘fitim-fitim’. Mendojnë si të marrin diçka, por edhe kolegu i tyre të marrë diçka që të jetë i kënaqur. Është proces. SHBA-ja dëshiron të shohë këtë por pa kompromentuar themelet e Kosovës. S’do të ishte asnjë fitore çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial apo demokracinë e Kosovës. Por, nuk është edhe fitore kur minoriteteve nuk u respektohen të drejtat”, tha Hovenier.
Ai ka thënë se plani i zgjerimit të BE-së është mjet i mirë për avancimin e gjitha vendeve të rajonit.
Themelimi i Asociacionit, Rohde kërkon nga qeveria hapa konkret
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria që të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se ky veprim është thelbësor për integrimin e serbëve në institucionet kosovare.
Diplomati gjerman nënvizoi nevojën që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
"Ajo që na nevojitet është integrimi, pajtimi dhe kompromisi dhe rruga për ta arritur këtë është në tavolinë. Ju e dini, siç tha Jeff, nuk ka alternativë ndaj dialogut. Keni akterë që ju duhet t'i angazhoni, dhe quhen, marrëveshjet e Brukselit dhe e Ohrit. Ne duhet të angazhojmë urgjentisht këtë ekip të ri në Bruksel. Për të marrë kapitullin e zgjerimit, dhe e them vazhdimisht, Kosova duhet të jetë aktive në këtë çështje të AKS-së, sepse është një rrugë e qartë për të integruar edhe pakicën serbe të Kosovës dhe gjithashtu me këtë Kosova tregon se për të kjo marrëveshje është gjallë. Ndryshe, BE-ja mbetet e pakapshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. E dini, ju nuk mund t'i bindni anëtarët nëse nuk mund të arrini minimumin. Dhe, dua të them, nëse Kosova ose nëse BE-ja nuk zgjerohet në Ballkanin Perëndimor, njerëzit e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të lëvizin drejt BE-së", tha ai në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci.
Krahas kësaj, Rohde theksoi nevojën e zhbllokimit të vendimmarrjes në organizatën rajonale CEFTA para samitit të Procesit të Berlinit më 14 tetor.
"Kemi opsione të mëdha për momentin në tavolinë, kemi lehtësinë bruto, mendoj afër 900 milionë për Kosovën, ju e dini Serbia disa miliarda, edhe vendet e tjera. Procesi i Berlinit, siç e keni parë edhe ju publikisht, është angazhuar shumë në Ballkanin Perëndimor për të arritur një kompromis përpara samitit të fundjavës së 14 tetorit, një bllok, dhe pak a shumë një duzinë marrëveshjesh të bllokuara prej disa vitesh. Dhe për mua, anëtarësimi në Këshillin e Evropës mbetet në tryezë dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme, edhe për të drejtat dhe çështjet e pakicave", theksoi Rohde.