Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është zotuar se Komuna e Vitisë do të ketë qasje në autostradën Prishtinë – Shkup “Arbën Xhaferi”, përmes kyçjes në fshatin Gërlicë.
Në një takim me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Hoti është shprehur se s’do të ketë zvarritje të projektit.
“Ministrja e Financave ka qenë para një jave është takuar me kryetarët e komunave të këtij regjioni për të diskutuar për projektet e vitit të ardhshëm që do t’i përfshijë në buxhetin e vitit 2021. Biseduam për disa projekte specifike siç është qasja në autostradë në Gerlicë. Me ministrin e Infrastrukturës do të bëjmë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që ky projekt i rëndësishëm për qytetarët e këtij regjioni të përfundojë sa më parë”, ka thënë ai.
Ndërkaq kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se rehabilitimi i rrugës Klllokot-Gjilan, që ka nisur sot, është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor për rajonin. Por Haliti i është lutur Hotit që të fillojnë përgatitjet për nisjen e projektit për ndërtimin e kyçjes në autostradën “Arbën Xhaferi” për komunën e Vitisë.
“Sot do të bëjmë fillimin e punimeve të një aksi rrugor që është i rëndësishëm për regjionin jo vetëm për Vitinë ngase përfshihet Gjilani, Kllokoti, Parteshi dhe komuna tjera që është investim i BERZH-it. Natyrisht që Qeveria e Kosovës e ka luajtur rolin e vet që kjo rrugë të rregullohet nga Kllokoti në Gjilan. E falënderova kryeministrin dhe e luta edhe për Gërlicë kyçjen dhe e mora premtimin e tij edhe për punë të tjera. Kryeministri ka vullnet të plot për me na përkrah”, ka thënë Haliti.
Kryeministri Hoti pasi ka përfunduar vizitën në komunën e Vitisë ka qenë prezent edhe në nisjen e punimeve në rehabilitimin e rrugës Gjilan-Kllokot. Hoti ka deklaruar se me investimet nëpër komunat e Kosovës po përfundohen një pjesë e madhe e akseve rrugore të cilat po punohen sipas standardeve. Kurse kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se fillimi i punimeve në zgjerimin e rrugës Gjilan-Prishtinës dhe rehabilitimi i rrugës Gjilan-Kllokot janë dy projekte të rëndësishme zhvillimore. Ndërsa nënkryetari i komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq është shprehur i kënaqur me nisjen e këtij projekti që sipas tij do të kontribuojë në zhvillimin e komunave.