Arbëri

Kronika zgjedhore / Hoti thotë se do të hapen arkivat e Serbisë për të pagjeturit

Mbështetje të parezervë për vreshtarët e vendlindjes së tij ka premtuar kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Gjatë fushatës të martën në Rahovec, Hoti ka thënë se del ballëhapur para qytetarëve, pas punës që ka bërë Qeveria e tij.

“Për bujqësinë kemi plane bukur ambicioze dhe në Rahovec është vendi për ta shpalosur plotësisht këtë plan. Kemi master-planin për ujitjen e tokave, për ta sjellë ujin në vreshtat e Rahovecit”, ka deklaruar Hoti, i cili është edhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë qytet.

Bashkëvendësve, Hoti u ka kërkuar që të mos mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e ka krahasuar me parti komuniste.

“Mos u mashtroni. Merreni shembull Prizrenin, që qeveriset nga ata që vendosin shirita të kuq rrugëve, që është shenjë e sistemeve komuniste. Merreni shembull Podujevën, ku kryetari i ri është denoncuar nga një qytetar për sulm fizik. Pra, shihni çfarë shembujsh keni nga ata që po pretendojnë ta qeverisin Kosovën”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, ndërkaq i ka cilësuar zgjedhjet e 14 shkurtit si më të rëndësishmet për partinë e tij që nga paslufta.

“Këto zgjedhje janë pak a shumë si zgjedhjet e vitit 2000. LDK-ja duhet të dëshmojë fuqinë e strukturës së saj. LDK-në ju e votoni jo vetëm si parti tuajën, por edhe si parti të cilën e doni. LDK-ja do ta përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të fundit, madje do ta rrisë atë edhe më tutje”, është shprehur Shala.

Kurse kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova ka nevojë të ecë përpara me LDK-në si drejtuese të saj.

“Ju dëshiroj që të merrni shumë vota dhe ta përfaqësoni Rahovecin në mënyrë dinjitoze. Më 14 shkurt ta votojmë listën e LDK-së me kandidatët më të mirë, njerëz jo të korruptuar, njerëz që dinë të punojnë dhe e duan vendin”, ka theksuar Pacolli. Pas Rahovecit, Hoti është ndalur në Gjakovë. Brenda një ambienti të mbyllur e të vogël, LDK-ja ka mbledhur qindra njerëz, duke shkelur masat kundër COVID-19. Para qytetarëve të Gjakovës, Hoti është shprehur i bindur se do të ketë rezultate për çështjen e të pagjeturve.

“Asnjë qeveri nuk e ka trajtuar më mirë çështjen e të pagjeturve. E kemi shtruar temë të parë në procesin e dialogut, jam konsultuar me të gjitha shoqatat e familjeve të të pagjeturve se si të dizajnojmë këtë proces dhe ne kemi mbërritur rezultate. A e dini cilat janë ato rezultate? Që do të hapen të gjitha arkivat shtetërore të Serbisë pa asnjë kushtëzim, për të ofruar informatat për personat e pagjetur, që do të vendoset drejtësia për ato raste”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se vitin e kaluar ka nisur realizimi i disa projekteve në Gjakovë, për të cilat ka thënë se do të vazhdojnë edhe sivjet, si dhe vitin e ardhshëm.

“Kemi investuar në këto projekte: Ndërrimi i gypave të azbestit - çimentos në qytetin e Gjakovës; Riparimi i rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë; Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë; Ndërtimi i qarkores se Gjakovës; Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjakovë; Ndërtimi dhe Renovimi i infrastrukturës së Universitetit të Gjakovës”, ka deklaruar Hoti.

Në sallën e mbushur përplot, të martën është festuar edhe ditëlindja e dytë gjatë kësaj fushate. Pas festës për Hotin, ditë më parë, të pranishmit e kanë uruar kandidaten për deputete, Marigona Geci. Tubim, Hoti ka mbajtur edhe në Malishevë.