Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës derisa ka folur për rastin e regjistruar me virusin e Nilit në Kosovë, ka thënë se fakti që pacienti është i hospitalizuar tregon se bëhet fjalë për rast serioz.
Në një lidhje direkte për “60 Minuta” të KTV-së, Hoti ka thënë se ky virus në shumicën e rasteve nuk jep simptomatologji dhe se shenjat janë të ngjashme me viruset e tjera.
“Pacienti është në klinikën e sëmundjeve ngjitëse, në Klinikën Infektive, mirëpo fakti që është i hospitalizuar tregon se bëhet fjalë për një rast serioz që sigurisht se do të trajtohet më tej nga stafi mjekësor. Të gjitha ato raste që kërkojnë trajtim spitalor nënkuptohet se janë raste serioze dhe mund të kenë komplikime të rënda. Ky virus në shumicën e rasteve pothuajse nuk jep simptomatologji, apo jep simptomatologji të ngjashme me viruset e tjera dhe kjo ndonjëherë e bën edhe më të vështirë diagnostikimin”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, simptomat që paraqiten nga ky virus janë gjendja me temperaturë, ethet, kokëdhembje, lodhje e vazhdueshme, shtrëngime të muskujve të qafës e shenja të tjera.
“Kushdo që ndien që i ka këto shenja me kushtin që ka një histori të pickimit nga mushkonjat, është mirë që të paraqitet për mjekim”, ka shtuar ai.