Arbëri

Hoti: Marrëveshja e Ohrit po reduktohet kah themelimi urgjent i Asociacionit

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se Marrëveshja në Ohër e arritur mes Kosovës dhe Serbisë po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit. Ai shkroi në Facebook se javën e ardhshme nis dialogu për zbatimin e marrëveshjes, e sipas Hotit, Kosova është futur në një rrugë të gjatë “për të arritur tek marrëveshja finale për njohje reciproke”.

“E gjithë Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit. Asgjë tjetër. Ai që e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë. Pesë vendet mosnjohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit. Në javën e ardhshme fillon dialogu në Bruksel për zbatim të marrëveshjes. Dialog për njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë”, shkroi ai.

Hoti shtoi se Kosova është betonuar në status quo, e deri në përmbyllje të marrëveshjes në Kosovë do të mungojnë investitorët e jashtëm, e do të vazhdojë ikja e kuadrove dhe e rinisë.

“Derisa më herët dialogonim për marrëveshje finale për njohje reciproke, siç konfirmohej vazhdimisht nga letrat e vendeve mike drejtuar Kosovës dhe Serbisë, tani këta mashtrues e kanë betonuar një status quo të re. Një Zot e di kur do të mund ta thyejmë këtë status quo dhe ta përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke. Deri atëherë do të mbizotëroj paqartësia për investitorët e jashtëm, do të vazhdojnë të ikin kuadrot dhe rinia”, tha ai.

Hoti ditë më parë ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje, pasi sipas tij, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, kanë rënë në kundërshtim me premtimet e dikurshme.