Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se deklaratat e Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, duhet të merren me shumë shqetësim.
Hoti ka thënë se ata që nuk i kuptojnë marrëdhëniet ekzistenciale të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e meritojnë të jenë në krye të institucioneve.
“Deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Hotit, në prag të përvjetorit të Pavarësisë, Kosova do të duhej të merrte mesazhe urimi.
O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin.
Ai ka thënë se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës të martën.