Arbëri

Hoti: Integrimi është politika jonë e përditshme

Për kryeministrin Avdullah Hoti, integrimi është politikë e tij e përditshme dhe e qeverisë që udhëheq.

Hoti të mërkurën, së bashku me zv.kryeministrin Driton Selmanaj, mori pjesë në tryezën konsultative me organizata të Shoqërisë Civile për prioritetet e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2). Pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Integrimet evropiane, politikat evropiane, janë politika e jonë e përditshme. Tash së fundmi është finalizuar rregullorja për funksionimin e zyrës për Integrimeve Evropiane. I kemi të qarta sfidat, që janë konfirmuar edhe në Raportin e Punës, po punojmë për adresimin e këtyre sfidave”, ka thënë Hoti.

E zv.kryeministri Selmanaj ka thënë se prioritetet janë ndarë në tri shtylla.

"Këto prioritete janë negociuar me Komisionin Evropian për disa muaj. Era 2 ka për qëllim që të shtyjë përpara implementimin e agjendës evropiane. Gjatë përgaditjes së ERA 2, prioritetet e kësaj agjende janë ndarë në 3 shtylla dhe duhet të implementohen deri në fund të vitit 2022. Shtylla e parë: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, shtylla e dytë, Konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe e treta ka të bëjë me arsimin dhe shëndetësinë”, ka thënë ai.

Për këtë plan të veprimit, Selmanaj ftoi shoqërinë civile që të ofrojë përkrahjen dhe ndihmën.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kërkoi nga institucionet kosovare që fokus ta kenë implementimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

"Fokusi duhet të jetë në përmbushjen e ERA 2 ku presim që shoqëria civile të luajë rol kyç. Ne presim reforma konkrete dhe solide që përcaktohen me ERA 2. Pres që të ecet tutje me procesin e reformatizimit", tha Szunyog.