Prishtinë, 7 shkurt – Pak ditë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Nxitjes së Investimeve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i ka ftuar për të hënën përfaqësuesit e bizneseve për t’i informuar për mundësitë që ofron kjo marrëveshje.
Ai përmes një njoftimi në “Facebook” ka theksuar se Kosova është e vetmja në Ballkan që ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.
“Të hënën kam ftuar bizneset për t'i informuar për mundësitë që ofron kjo marrëveshje për financimin e investimeve, sigurime të rrezikut, grante për ndihmë teknike etj.”, ka theksuar ai.
Më 31 dhjetor 2020, kryeministri në detyrë, Hoti, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nënshkruan këtë marrëveshje për nxitjen e investimeve, veçanërisht në sektorin privat të Kosovës.
Marrëveshja do të mundësojë ndërtimin e autostradës Prishtinë-Merdar dhe linjës hekurudhore Prishtinë – Beograd.
Investimet amerikane burojnë nga takimi i 4 shtatorit 2020 për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku u nënshkruan dy dokumente, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas Planit për Zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, të miratuar nga Qeveria në detyrë, parashihet që për autostradën Durrës – Morinë – Prishtinë – Merdar - Nish, të përfundojë edhe finalizimi i marrëveshjes për grantin investiv me “Western Balkans Investment Framework”.
Po ashtu, pritet finalizimi i marrëveshjes për financimin e pjesës së mbetur të projektit dhe shpallja e tenderit për përzgjedhjen e kontraktuesve në kuadër të standardeve trans-evropiane të autostradave.
Ndërkohë, për linjën hekurudhore Prishtinë - Merdar parashihet formimi i grupit teknik punues dhe hartimi i studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e trasesë ekzistuese dhe trasesë së re të linjës hekurudhore Fushë-Kosovë - Merdar në kuadër të standardeve teknike evropiane të ndërveprimit.
Marrëveshja për Nxitjen e Investimeve do t’ia mundësojë Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, që të ofrojë gamën e saj të plotë financiare, që përfshin financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante në ndihmën teknike.
Në kuadër të Marrëveshjes së Washingtonit, përfshihet edhe studimi i fizibilitetit të Ujmanit, për shfrytëzim të përbashkët të liqenit. Ky zotim ka marrë kritika të mëdha në Prishtinë, shkaku që e bën hisedar në Ujman shtetin serb.
Autoritetet e Kosovës janë përfshirë në nismën që synon ta bëjë Serbinë hisedare në liqenin e Ujmanit. Një grup pune, i themeluar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka grumbulluar shumë të dhëna dhe ka zhvilluar edhe komunikime me Departamentin për Energji të Shteteve të Bashkuara, në funksion të studimit të fizibilitetit, proces që për synim ka shfrytëzimin e përbashkët të liqenit nga Kosova dhe Serbia.
Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ministri i së cilës e drejton Grupin, kanë ofruar vetëm të dhëna përgjithësuese për procesin.
“Grupi ka adresuar kërkesa të një pyetësori, i cili është dërguar nga Departamenti Amerikan për Energji. Grupi punues gjatë takimeve të mbajtura ka trajtuar kërkesat të cilat janë adresuar rreth fizibilitetit të liqenit të Ujmanit, kërkesa të karakterit teknik”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Ministrisë. “Grupi punues ka mbledhur të gjitha të dhënat e nevojshme nga institucionet kompetente të cilat janë edhe anëtare të grupit. Natyrisht, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Departamentin për Energji (DoE), në SHBA”.
Ujmani është liqen artificial dhe përbën ujëmbledhësin më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Penda e tij është ndërtuar midis viteve 1970 – 1984. Ka një hidrocentral që prodhon 35 megavatë për orë energji elektrike, si dhe kanalin e gjatë Ibër-Lepenc.
Projekti është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, ndërsa obligimin për pagesë e kishte marrë Kosova, e cila njëkohësisht kishte bërë edhe eksproprijimin e pronave.
Që nga paslufta, Ujmani është transformuar në ndërmarrje publike “Ibër-Lepenc”. E pas korporatizimit të saj më 1 janar 2008, është shndërruar në ndërmarrje hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, që për aksionar ka vetëm Qeverinë e Kosovës.
Me ujin e Ujmanit furnizohet sistemi Ibër-Lepenc për të ujitur rreth 8.500 hektarë tokë gjatë sezonit të ujitjes. Termocentralet e shfrytëzojnë atë për ftohje, sikur edhe kompania “NewCo Feronikeli”. Nga i njëjti liqen furnizohen me ujë të pijes edhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës.
Në Planin për zbatimin e zotimeve të Washingtonit, që ishte miratuar më vonë nga Qeveria, është theksuar se Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive të tjera të Qeverisë së SHBA-së, duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, e duke u fokusuar në: Përcaktimin e alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; Eksplorimin e mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm), si dhe; Sigurimin që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit.