Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi në RTK se në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë ekziston Asociacioni, si pjesë e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara.
Për këtë reagoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke shkruar në Facebook.
“A paska Asociacion?! Mashtruesit. Të pabesët”, thuhet në postimin e tij.
Kurti tha të mërkurën se Neni 10 i Marrëveshjes e parasheh zbatimin e marrëveshjeve të kaluara nga të dy palët.
“Për bindjen time të fuqishme, tejkalimi, ballafaqimi me trashëgimin e së kaluarës është një nocion gjenerik që duhet të përkthehet në shumë gjëra që janë problematike midis dy vendeve tona. Nuk mund të normalizohen marrëdhëniet pa u adresuar krimet e kryera gjatë luftës dhe shumë çështje të tjera që nuk lidhen me luftën. Tashmë në aneks e kemi me urgjencë çështjen e të pagjeturve. Ka Asociacion, neni 10 thotë se të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara që ngelen valide dhe të obligueshme. 39 marrëveshje janë prej 2 korrikut 2011 deri më 25 gusht 2015. Ta zëmë po i përmendi dy prej tyre: marrëveshja për kthimin e librave kadastral që është marrëveshja numër 5, ndërsa ajo për marrëveshja ku 6 pikat e para janë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është marrëveshja e 16 e cila në muajin që vjen i mbushë 10 vjet. Ka shumë marrëveshje që duhet t’i trajtojmë me kujdes. Propozimi evropian është njohje de facto”, është shprehur ai.