Prej më shumë se shtatë muajsh, QKUK-ja është pa furnizim me hormonin e rritjes, Somatropin. Për pasojë, prindër të fëmijëve që duhet ta marrin këtë bar në bazë ditore, ankohen se janë detyruar që ta blejnë vetë ilaçin, në treg privat, e me kosto vështirë të përballueshme. Në SHSKUK e në Barnatoren Qendrore nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me furnizimin. E mjekë pediatër paralajmërojnë se ndërprerja e trajtimit me këtë hormon, mund të prodhojë pasoja serioze në zhvillimin e fëmijëve
Nga frika e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të vajzës së tij 9-vjeçare që ka nevojë për trajtim ditor me hormonin e rritjes, Somatropin, babai Vullnet Hyseni është detyruar që, në mungesë të furnizimit në QKUK, ta sigurojë vetë këtë bar me kosto të lartë financiare.
Ai është ankuar se prej dy muajsh e blen vetë ilaçin, pasi që Klinika e Pediatrisë në QKUK që prej më se shtatë muajsh nuk ka furnizim me barin që është në listë të barnave esenciale.
“Si medikament, është vështirë me u gjete në treg, në kanale tjera, d.m.th. private, por edhe nëse gjendet, është shumë i shtrenjtë për me e ble. Tash varet sa është doza që e përcakton mjeku, por çmimi mundet me shku, p.sh për vajzën time është diku mes 400-800 euro, kosto mujore”, ka treguar Hyseni.
Bazuar në të dhënat nga klinikat dhe nga prindërit, në Kosovë janë aktualisht rreth 150 fëmijë që kanë nevojë ta marrin hormonin e rritjes, i cili injektohet në bazë ditore.
E në pamundësi për ta siguruar ilaçin, babai i një pacienti thotë se fëmija i tij ka mbetur pa trajtim.
“Fëmija im është i diagnostikuar me rritje të ngadaltë dhe i nevojitet hormoni. Procedura e tij ka filluar që katër vjet, diku prej 2021. Ka marrë hormon që një kohë të gjatë edhe është ndërprerë në korrik të vitit të kaluar. Jemi ankuar në shumë vende, nëpër spital, por kot. Po na thonë nuk ka hormon...”, ka thënë prindi S. Sh.
E pediatrja në Klinikën e Pediatrisë, Hafize Rafuna, paralajmëron se ndërprerja e trajtimit me këtë hormon mund të prodhojë pasoja serioze te fëmijët.
“Fëmija nuk e arrin lartësinë e pritshme për moshën e tij dhe mund të mbetet më i shkurtër se moshatarët. Rritja e kockave dhe e muskujve është e ngadalësuar, gjë që ndikon në zhvillimin e përgjithshëm trupor. Mungesa e GH ndikon në metabolizëm, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një peshe të shëndetshme. Kockat mbeten më të dobëta dhe më të holla, duke e rritur rrezikun e frakturave në të ardhmen”, ka sqaruar Rafuna.
Për mungesën e barit, KOHA u adresoi pyetje SHSKUK-së e Barnatores Qendrore, porse nuk ka marrë përgjigje.
Bazuar në të dhënat në platformën E-Prokurimi, hera e fundit që SHSKUK-ja ka shpallur tender për furnizim me këtë medikament është në gusht të vitit të shkuar, i cili është anuluar në mungesë të ofertuesve.