Arbëri

Hodaj: IPK-ja s’ka mandat të hetojë policët e dorëhequr në veri

Kushtrim Hodaj - IPK

Të gjitha hetimet që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka qenë duke i zhvilluar ndaj policëve të dorëhequr në veri tanimë kanë pushuar. Kjo pasi që IPK-ja nuk ka mandat që t’i hetojë ata.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se tani i mbetet Policisë së Kosovës që ata të mund t’i hetojë vetëm si qytetarë dhe jo si ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Ne kemi pasur hetime në zhvillim dhe kemi hetime që lidhen me pjesën veriore të Kosovës, vite me parë kemi pasur atje një aksion bashkë me Policinë e Kosovës, kemi arrestuar rreth 24-15 zyrtarë policorë, pastaj ishte situata e dorëheqjeve dhe moszbatimeve të vendimeve të Qeverisë, ku ne u detyruam të rekomandojmë suspendimin e zyrtarëve të Policisë e si pasojë pati edhe dorëheqje”, ka theksuar Hodaj.

Ai ka thënë se ligji nuk ua mundëson që të vazhdojnë me hetimin e zyrtarëve policorë të dorëhequr.

“Faktikisht neve ligji na e mundëson që të hetojmë zyrtarë që janë pjesë e Policisë së Kosovës, në momentin që ata nuk janë pjesë e Policisë së Kosovës, për neve pushon mandati si institucion, pjesa tjetër i takon Policisë që të hetojë qytetarë që tashmë nuk janë pjesë e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Hodaj, duke shtuar se disa prej tyre kanë qenë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti e mundësim të veprimtarive ilegale.

Hodaj në këtë intervistë ka folur edhe për raportin vjetor të IPK-së. Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë pranuar rreth 1700 ankesa për zyrtarë policorë.

Sipas tij gjatë vitit 2022 janë hetuar 260 zyrtarë policorë, 108 janë arrestuar për vepra të ndryshme penale e kanë rekomanduar suspendimin e 164 punonjësve të Policisë.

Ai ka thënë se këto janë shifra më e lartë që IPK-ja ka regjistruar që nga themelimi.

Në rritjen e këtij numri ka thënë se ka ndikuar hetimi që është zhvilluar në pikat kufitare më Shqipërinë, ku ka thënë se janë arrestuar 74 zyrtarë policorë dhe dy doganierë.

Hodaj ka thënë se hetimet për këtë rast kanë përfunduar dhe se Prokuroria së shpejti do të ngrejë aktakuzë ndaj shumicës së zyrtarëve të arrestuar.

Ai ka theksuar se prioritet kanë hetimin e zyrtarëve të Policisë që janë të përfshirë si persona zyrtarë në raste të dhunës në familje, derisa ka shtuar se kanë pasur raste kur edhe vetë policët kanë qenë të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje.


Hodaj flet për hetimin e policëve të përfshirë në rastin e vrasjes së shtatzënës para Gjinekologjisë

Ai ka folur edhe për hetimet që kanë zhvilluar ndaj policëve që kanë qenë të përfshirë në rastin e mbikëqyrjes ndaj të dyshuarit Sokol Haliti, i cili u vetëvra, pasi që kishte vrarë gruan e tij shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai ka thënë se për këtë rast kanë zhvilluar hetim të të gjithë zyrtarëve policorë që lidhen me këtë rast.

rezultat i të gjetjeve tona ne kemi rekomanduar suspendimin e komandantit të stacionit të Lipjanit dhe tre zyrtarëve të tjerë, për shkak të veprimeve që ata kanë ndërmarr pas ndodhjes së rastit për të dokumentuar gjoja vizitat për të ofruar sigurinë e të ndjerës e cila kishte masën e sigurisë nga gjykata, janë kryesisht veprime që kanë ndodhur pas rastit tragjik, dhe për këtë kemi ngritur kallëzim penal për zyrtarët e përfshirë dhe kemi rekomanduar suspendimin e tyre, tashmë rasti është në Prokurori”, ka theksuar Hodaj.