Arbëri

Historiku i angazhimit të Bidenit për Kosovën

Viti 1999. Koha e trazirave dhe bombardimeve në Kosovë. Kur krejt shqiptarët kishin kthyer sytë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të një veprimi për ndaljen e luftimeve, aty ishte Joe Bideni bashkë me një sërë senatorësh që po bënin përpjekje për një zgjidhje.

Duke qenë asokohe senator demokrat nga shteti i Delawares, Bideni ishte bërë njëri prej iniciuesve të një rezolute për kauzën e Kosovës. Me të do të kërkohej autorizimi i presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, për nisjen e një operacioni të menjëhershëm ajror kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.

I gjithë fokusi i tij te Kosova asokohe buronte nga angazhimi i mëhershëm në çështjet që ndërlidheshin me Ballkanin. Pas një vizite të 1993-s në Bosnje e Hercegovinë, Bideni ishte ai që qe ngritur kundër luftimeve atje, duke e akuzuar madje presidentin Cinton se po i anashkalonte vrasjet e myslimanëve të Bosnjës.

Me përvojën nga Bosnja, ai u bë një prej forcave shtytëse që u dha fund masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Kosova, nga regjimi i Milosheviqit. Ishte ky angazhimi i tij i parë i drejtpërdrejtë në Kosovë, por jo edhe i fundit.

Demokrati e vazhdoi përkrahjen për Kosovën edhe pas përfundimit të luftës. Kësaj radhe për zbardhjen e krimeve serbe. Nëpërmjet një fjalimi para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, të cilin dikur edhe e drejtoi, ai i numëroi krimet e rënda dhe përdhunimet sistematike nga forcat serbe.

Tani kandidati për presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara, Biden më 2008 qe njeriu që mbështeti fuqishëm shpalljen e pavarësisë.

Menjëherë pas 17 shkurtit, ai vizitoi Kosovën për të përçuar mesazhin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshohet. Tha se si tërësi dhe e bashkuar, Kosova është “një nevojë e politikës amerikane”.

Për angazhimin e tij, në maj të 2009-s, liderët politikë të Kosovës e dekoruan Bidenin me medalje të artë të lirisë.

Pas çlirimit të Kosovës më 1999, ai merrte informata të dorës së parë për atë që po ndodhte këtu nga i biri i tij, Beau Biden, i cili u angazhua në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë në kuadër të misionit të OSBE-së.

Katërmbëdhjetë vjet pas kësaj, Beau vdiq nga kanceri, në moshën 46-vjeçare. Një vit pas, Joe Biden erdhi sërish në Kosovë ku mori pjesë në përurimin e një rruge në Ferizaj, që mbante emrin e të birit të tij të ndjerë.

Këtë rast e shfrytëzoi për të rikonfirmuar përkrahjen ndaj popullit të Kosovës dhe për t’ia tërhequr vërejtjen rreth një rreziku që po e kanoste. Tha se korrupsioni është “kanceri” që gërryen materien e çdo shoqërie. Biden foli edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosovën në agjendë, ky politikan i karrierës e riktheu sërish vetëm pak ditë më parë.

Nëpërmjet një dokumenti që shpalosi vizionin e fushatës së tij dhe të bashkëgarueses, Kamala Harris, ai potencoi se pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, në atë që do të çonte drejt njohjes reciproke dhe gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës.

Tani, senatori amerikan për gjashtë mandate, zëvendëspresidenti i SHBA-së dhe veterani i politikave të jashtme, synon që me gjithë këtë bagazh ta rrëzojë nga froni i Shtëpisë së Bardhë presidentin aktual Donald Trump. Krejt këtë me premtimin se e ka përvojën e duhur për t’ia kthyer Amerikës fuqinë dhe reputacionin e luhatur nën katër vjetët e Trumpit.