Çfarë duhet të bëhet me shtëpinë e Xhafer Devës? “Duhet të restaurohet”, thotë historiania zvicerane Franziska Zaugg, e cila ka doktoruar mbi të ashtuquajturin divizioni “Skanderbeg”. Por shtëpia e Devës, sipas saj, duhet të jetë muze që shpalos jo vetëm anët e ndritshme, por edhe të errëta të tij. Në këtë intervistë Zaugg flet për polemikat e fundit në Kosovë e Shqipëri mbi figurën komplekse të Xhafer Devës, për (keq)kuptimet e së kaluarës, reagimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë dhe historinë shumështresore të lëvizjeve politike, ushtarake e kryengritëse në Kosovë. Zaugg thekson se Xhafer Deva si ministër i Brendshëm i qeverisë marionetë në Tiranë qartazi ka qenë përgjegjës për disa qindra deportime të hebrenjve, komunistëve si dhe të disa mijëra serbëve dhe malazezëve.
Dr. Franziska Zaugg është docente në Universitetin e Freiburgut në Zvicrën franceze dhe drejton një projekt shkencor në Universitetin e Bernit. Punimin e saj të doktoratës Zaugg ia ka kushtuar shqiptarëve që u rekrutuan apo iu bashkuan formacioneve naziste të SS-it në kuadër të “divizionit Skanderbeg”. Disertacioni me titullin „Albanische Muslime in der Waffen-SS. Von ‘Grossalbanien’ zur Division ‘Skanderbeg’” (“Myslimanët shqiptarë në formacionet e armatosura të SS-it. Nga ‘Shqipëria e Madhe’ te divizioni ‘Skanderbeg’”) është publikuar më 2016 nga shtëpia e njohur botuese Ferdinand Schöningh. Në vjeshtë të vitit të kaluar historiania Zaugg ka publikuar te shtëpia botuese “De Gruyter Oldenbourg” librin “Rekrutimet për formacionet SS në Europën Juglindore. Ide, ideale dhe realitete të një ushtrie shumëetnike” (Rekrutierungen für die Waffen-SS in Südosteuropa. Ideen, Ideale und Realitäten einer Vielvölkerarmee).
Në Kosovë synohet të restaurohet shtëpia e Xhafer Devës. Ç’mendim keni për këtë nismë?
Franziska Zaugg: Personalisht dhe parimisht konsideroj se është ide shumë e mirë. Veçanërisht në Gjermani ekzistojnë shumë qendra përkujtimore të rëndësishme dhe interesante sa i përket Luftës së Dytë Botërore. Ato ndihmojnë që të tregohet fytyra e historisë, që ajo të bëhet e kuptueshme dhe e “prekshme”. Por në rastin e një nisme të tillë menjëherë shtrohet pyetja si të bëhet kjo. Nëse qëllimi është që Xhafer Deva të prezantohet vetëm si hero kombëtar dhe “pararendës” për Kosovën e lirë, atëherë unë do e hidhja poshtë projektin. Një projekt, ndërkaq, që trajton në mënyrë kritike jetën e Xhafer Devës duke pasur parasysh konstelacionet e ndryshme shtetërore dhe nocionet “kryengritje” dhe “kolaboracionizëm”, unë do e përshëndesja dhe madje do e përkrahja personalisht. Me atë rast duhet të merret parasysh se cilat motive ndikuan në “kryengritje” dhe “kolaboracionizëm”, kur, ku dhe për çka u angazhua Deva, pse u bë ai që ishte, pse për të ishin të rëndësishme Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe Lidhja e Tretë e Prizrenit që synohej prej tij. Një qendër përkujtimore do të mund të ndihmonte që qasja ndaj të kaluarës të shkëputet nga kllapat nacionaliste dhe kësisoj kosovareve dhe kosovarëve, qofshin ata shqiptarë, serbë apo malazezë t’u prezantohet më afër historia.
Ambasadori gjerman në reagimin e tij fajësoi autoritetet e Kosovës për falsifikim të historisë dhe paralajmëroi se kështu po minimizohen krimet e Xhafer Devës. A ka të drejtë diplomati gjerman?
Franziska Zaugg: Për fat të keq nuk e di çfarë ka lexuar ambasadori gjerman apo çfarë i kanë thënë atij. Po ta dija dhe duke u bazuar në sfondin e burimeve historike të tij, do të mund të thosha nëse ai ka të drejtë apo jo. Personalisht disa herë kam dëgjuar se Xhafer Deva në Kosovë po paraqitet vetëm në dritë pozitive – kjo është e rrezikshme. Edhe nderimin e personit të tij përmes emrit të një rruge në Mitrovicë nuk e konsideroj veprim të mençur. Figura e tij duhet të ndriçohet në mënyrë kritike. Sidoqoftë, ai nën nazistët ka qenë ministër i Brendshëm.

Kush ishte Xhafer Deva, sipas jush: kolaboracionist i nazistëve? Patriot shqiptar? Apo imazhi i tij nuk është aq bardh e zi?
Franziska Zaugg: Nuk më pëlqejnë shpjegimet bardh e zi, aq më pak kur bëhet fjalë për historinë e Kosovës të shekullit të 20-të. Xhafer Deva është një person i larmishëm dhe me dritëhije jashtëzakonisht të ndryshme. Rrjedhimisht, një ballafaqim më i përafërt me të do t’ia vlente me të vërtetë. Përndryshe, nëse shikojmë më saktë kohën për të cilën po flasim (1941-1944), ai nuk ishte fare shtetas shqiptar, por i përkiste Serbisë nën sundimin ushtarak gjerman, andaj për këtë u ankua te gjermanët edhe Milan Nedići, kryeministri i qeverisë pronaziste në Serbi. Ashtu si babai i tij edhe Xhafer Deva u lind në Mitrovicë. Me origjinë familja ishte nga Gjakova. Për babanë e tij, një tregtar druri, kriza e Ballkanit ishte goditje ndaj biznesit të tij. Këtu është me rëndësi të përmendet se babai i tij nga njëra anë ushtronte një funksion publik si kryetar i Mitrovicës, nga ana tjetër ai njihej personalisht me personalitete si Hasan Prishtina apo Isa Boletini. Kjo duket se nuk ka kaluar pa lënë gjurmë te Xhafer Deva.
Xhafer Deva ka një biografi tejet tipike për gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Shtresa më e kamur dhe më e arsimuar, pra inteligjenca nga ky rajon, i kaloi vitet e shkollimit dhe nganjëherë edhe studimet nën sundimin osman. Deva, për shembull, ndoqi mësimet në një shkollë në Selanik dhe më vonë në Stamboll. Gjatë studimeve, të cilat i kreu mes dy luftërave dhe rrjedhimisht në Turqi dhe jo më në Perandorinë Osmane, ai në Stamboll mësoi edhe anglisht. Kjo cezurë është shumë e rëndësishme për të kuptuar jetën e Xhafer Devës: fëmijërinë e kaloi si shtetas i Perandorisë Osmane, pra si pjesë e një bashkësie tërësore shqiptare (domethënë: të pandarë) në Perandorinë Osmane. Me shpalljen e “shtetit kombëtar shqiptar” në nëntor 1912 dhe me ndarjen e territoreve shqiptare pas luftërave ballkanike (që u bë me urdhër të fuqive ndërkombëtare), bota në të cilën jetonte Deva ndryshoi shumë. Tani Mitrovica ishte pjesë e Serbisë. Pikërisht këtu duhet të fillojë hulumtimi i jetës së Devës. Çka shkaktoi te ai ky ndryshim aq rrënjësor? Çka përjetoi ai, ndonëse rridhte nga një familje e kamur e tregtarëve të drurit? Sepse shqiptarët etnikë nuk e kanë pasur lehtë as nën Serbinë para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore (me përjashtim të tërheqjes së serbëve në fund të vitit 1915 deri në fund të luftës më 1918), as mes dy luftërave botërore në Jugosllavinë e parë. Nëse i shikojmë dokumentet, ka shumë konflikte të vogla e të mëdha (prej përndjekjeve deri te vrasjet dhe masakrat) dhe një dhunë strukturore të shtrirë gjerë (sipas nocionit të Johan Galtung), e cila në të vërtetë nuk e kishte për qëllim që një pjesë të caktuar të popullsisë ta vrasë menjëherë, por ta diskriminonte në atë mënyrë përmes shtypjes, ndalimit të gjuhës, qasjes në kujdesin mjekësor, saqë ky diskriminim mund të shkaktonte sëmundje psikike dhe fizike dhe madje edhe vdekje. Ky ambient e karakterizoi Xhafer Devën në vitet e rinisë. Me siguri te ai ka lënë gjurmë edhe koha e shkurtër mes viteve 1915 dhe 1918 kur austriakët (sërish) erdhën në Mitrovicë dhe tani dhuna shpërtheu në drejtim tjetër, pra kundër popullsisë serbe. Shumë shqiptarë etnikë, të cilët kishin përjetuar sundimin austriak, më vonë kishin simpati për pushtuesit gjermanë: kjo nuk është për t’u habitur, sepse shumë prej ushtarëve dhe funksionarëve “gjermanë” në Kosovë ishin austriakë, ngase prej vitit 1938 Austria i ishte bashkangjitur “Rajhut të Tretë”. Pasi që shqiptarët kishin përvoja kryesisht të mira me austriakët, ata të njëjtën gjë e prisnin edhe nga gjermanët. Për të trajtuar reumatizmin e tij Deva kishte shkuar në Austri, pra ai e njihte këtë vend edhe nga përshtypjet personale.
Tek pasi të studiohen këto burime jashtëzakonisht të larmishme mes fundit të shekullit 19-të dhe çerekut të fundit të shekullit të 20-të nga arkivat gjermane, italiane, austriake, zvicerane, kosovare, shqiptare, malazeze, serbe dhe amerikane dhe tek pasi këto të ndërlidhen me jetën e Devës (ndërkohë ai përmendet në mënyrë eksplicite), do të krijohet një imazh i plotë i tij dhe i veprimtarisë së tij.
Çfarë krimesh i ngarkohen Xhafer Devës? A ka dëshmi konkrete për mizori?
Franziska Zaugg: Xhafer Deva shumë herët dhe në mënyrë intensive ka rekrutuar njerëz për gjermanët, ai ishte informator i gjermanëve dhe ka qenë ministër i Brendshëm i “Shqipërisë së Madhe” dhe një kohë kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Si ministër i Brendshëm ai qartazi ka qenë përgjegjës për disa qindra deportime të hebrenjve dhe komunistëve (të vërtetë apo të dyshuar, së paku 510) dhe të dhjetëra-mijëra serbëve dhe malazezëve. Krahas kësaj ai në Tiranë dhe rrethinë, bashkë me “ushtrinë” e tij “private”, të cilën e solli në kryeqytet, ishte përgjegjës për vrasje e masakra të kundërshtarëve politikë. Kjo i tronditi madje edhe gjermanët dhe për këtë ata kanë shkruar në raportet e tyre.
Përveç kësaj ai ishte mik i mirë i oficerit të SS-it dhe shefit të policisë në Shqipëri, Josef Fitzthum (një austriak), gjë që në vetvete nuk është vepër penale, por kjo e tregon lidhjen e tij të ngushtë me “Rajhun e Tretë”. Deva ishte larg të qenmit nazist. Ai ishte patriot i bindur, i cili patriotizmin e tij e njollosi, e komprometoi në pjesën më të madhe duke bashkëpunuar me nazistët. Si nacionalist ai ishte i gatshëm që me të gjitha mjetet ta shpëtojë - edhe pas përfundimit të luftës - “Shqipërinë e Madhe” e cila ekzistonte nga viti 1941. Ai ishte i fundit që me ushtrinë e tij private, me disa të rekrutuar me forcë dhe me vullnetarë vazhdoi të luftojë në Kosovë pas tërheqjes së gjermanëve.

Sa i ngushtë ka qenë bashkëpunimi i tij me nazistët?
Franziska Zaugg: Hermann Neubacher, i ngarkuari i nazistëve për pjesën juglindore të Ballkanit, por edhe raportet e Fitzthumit dhe të të tjerëve vazhdimisht e potencojnë rëndësinë e Devës për gjermanët dhe synimet e tyre për rekrutim të shqiptarëve. Siç e përmenda më herët, Deva ishte njeri i besueshëm i Fitzthumit dhe në funksionet e tij si ministër i Brendshëm dhe kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit ai ishte i domosdoshëm për pushtuesit gjermanë. Por gjermanët ishin mosbesues ndaj të gjithë shqiptarëve dhe August Schmidhuber, komandant i divizionit malor të SS-it “Skanderbeg”, shkruan në raportin e tij përfundimtar se me gjasë do kishte qenë më mirë që gjermanët të vinin me një thes me ar për të “blerë” miqësinë e shqiptarëve.
Në albanosferën digjitale citohet një raport i CIA. Aty Deva përshkruhet me tone pozitive. A nuk është i pamjaftueshëm ky shpjegim kur të merret parasysh se autoritetet amerikane pas Luftës së Dytë Botërore kanë kooperuar edhe me ish-nazistë?
Franziska Zaugg: Si nacionalist i ashpër në ekzil amerikan Xhafer Deva gjatë Luftës së Ftohtë nuk ka mbetur pa i rënë në sy edhe CIA. Ai i bashkoi rreth vetes ata shqiptarë e kosovarë, të cilët nuk donin shtet socialist (as nën Titon, as nën Enver Hoxhën) dhe me dëshirë do ta rikthenin “Shqipërinë e Madhe”. Natyrisht që në atë raport të CIA Deva përshkruhet në mënyrë shumë pozitive, sepse në luftën kundër armikut komunist çdo ndihmës ishte i mirëseardhur dhe nuk shikohej aq e kaluara e tij. SHBA-të nuk ngurronin, për shembull, të pranonin në radhët e tyre edhe shkencëtarë gjermanë me karrierë në regjimin nazist. Prandaj, reagimi pozitiv i CIA ndaj Devës nuk është befasues.
A ka, zonja Zaugg, të dhëna konkrete mbi numrin e viktimave të nazistëve dhe kolaboracionistëve të tyre në hapësirën e banuar me shqiptarë në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Franziska Zaugg: Kemi të dhëna të ndryshme, për shembull nga vetë komandanti Schmidhuber. Krimi më i njohur është natyrisht ai në vendin e quajtur Velika pas Qafës së Çakorit në Mal të Zi - me 428 viktima, një krim që nga nacionalistët serbë e malazezë përdoret për qëllime politike. Krahas kësaj të dhënat tregojnë për disa qindra deportime nga Kosova të hebrenjve (gra e burra), komunisteve dhe komunistëve, “përkrahësve të bandave” si dhe dhjetëra-mijëra koloniste dhe kolonistë të deportuar serbë dhe malazezë, të cilët qenë vendosur në Kosovë mes dy luftërave botërore (shpesh nën presion dhe me detyrim). Në raportin e tij Schmidhuber shkruan për 510 hebrenj, komuniste dhe komunistë dhe “ndihmës e ndihmëse bandash” të deportuar, por ai e ka fjalën vetëm për një aksion arrestimesh nga fundi i majit deri në fillim të qershorit të vitit 1944. Këtu nuk janë llogaritur arrestimet individuale. Krahas kësaj natyrisht janë luftuar komunistët e vërtetë dhe të dyshuarit se janë komunistë, në zonat kufitare edhe çetnikët dhe në Shqipërinë veriore edhe kundërshtarët politikë. Në verën e vitit 1944 gjermanët i kanë varur publikisht gratë partizane në Kosovë, bashkë me bashkëluftëtarët e tyre, dhe kjo nuk u prit mirë nga popullsia që përndryshe ishte progjermane dhe krejt kjo kulmoi me një sulm kundër një konvoji me gra gjermane, të cilat nga Tirana, përmes Kosovës e Beogradit, synonin të ktheheshin në Gjermani.
Brenda situatës jashtëzakonisht shumështresore të konfliktit në Kosovë, e cila mundësonte konstelacione të ndryshme mes kolaboracionizmit dhe rezistencës, është tejet me rëndësi të prezantohet në mënyrë adekuate edhe roli i “Ballit Kombëtar”, sepse kjo organizatë që shërbente si çadër strehonte brenda vetes demokratë dhe nacionalistë radikalë si dhe kolaboracionistë të nacionalsocializmit. Por, jo të gjithë anëtarët e “Ballit Kombëtar” kanë qenë kolaboracionistë të nacionalsocializmit, kjo më vonë është pretenduar nën regjimin e Titos dhe Enver Hoxhës. Konsideroj se është shumë e rëndësishme që kjo të potencohet vazhdimisht. Veç kësaj kam të dhëna për bashkëpunimin mes çetnikëve dhe shqiptarëve etnikë në zonat kufitare në drejtim të Serbisë. Natyrisht kjo nuk pranohet me qejf, por sipas burimeve bashkëkohore gjermane është në përputhje me faktet.

A nuk i jepet rëndësi e tepërt të ashtuquajturit divizioni “Skanderbeg”? Kjo trupë nuk ekzistoi as 6 muaj (mes majit dhe tetorit 1944). Vetë oficerët nazistë i quanin vullnetarët shqiptarë si njerëz që kanë qejf të gjuajnë me armë, por janë të paaftë për të luftuar.
Franziska Zaugg: Po, e saktë, divizioni “Skanderbeg” ka ekzistuar shumë shkurt dhe ushtarakisht nuk ka qenë vendimtar për rrjedhën e luftës në Ballkan. Pra, me shumë dëshirë ju jap të drejtë. Por, për fat të keq, kapitulli me divizionin “Skanderbeg” te të dyja palët, pra te nacionalistët kosovarë dhe ata serbë, në dekadat e fundit, që nga rënia e komunizmit jugosllav, ka fituar një impakt të madh. Në komunat kosovare sot jepen mirënjohje me shkrim për pjesëmarrjen në divizionin “Skanderbeg” dhe rrjedhimisht për luftën për Kosovën e “lirë”. Nga ana tjetër pala serbo-nacionaliste i përshkruan ushtarët e divizionit “Skanderbeg” si nazistë, gjë që nuk është fare e vërtetë. Shumë prej tyre u rekrutuan me forcë, për shembull sepse ata gjatë fushatës naziste në Ballkan më 1941 ishin ushtarë jugosllavë dhe përfunduan si të internuar të gjermanëve dhe u liruan me kushtin që të luftonin për divizionin “Skanderbeg”. Të tjerët duke u kyçur në këtë divizion u përpoqën të shpëtojnë nga gjendja e mjerueshme ekonomike në të cilën ndodheshin ose të mbronin familjet e tyre nga sulmet e çetnikëve serbo-malazezë apo, varësisht nga kampi politik, t’i mbronin edhe nga partizanët komunistë (gjë që në të shumtën e rasteve nuk funksionoi).
Çfarë dinin oficerët dhe ushtarët gjermanë për Ballkanin dhe veçanërisht për viset shqiptare?
Franziska Zaugg: Para fushatës së tyre në Ballkan gjermanët kishin lexuar vetëm Karl Mayin, ndërsa ushtarët austriakë që luftonin në kuadër të njësive gjermane njihnin së paku disa pjesë të Ballkanit. Por shumica e tyre nuk e njihnin Shqipërinë dhe Kosovën. Ata përjetuan një shok kulturor, sepse në rastin e ushtarëve shqiptarë nuk bëhej fjalë për “egërsira fisnike” (sipas Rousseau) dhe “luftëtarë të lindur”, të cilët vetëm duhet të trajnohen. Shumica prej tyre u përgatitën vetëm 6 javë (!) dhe me pak fishekë u dërguan në luftime. Dështimi ishte i programuar. Kur Schmidhuber në raportin e tij përfundimtar në tetor 1944 hidhte hije të keqe mbi shqiptarët, ai përpiqej të largonte vëmendjen nga dështimet e tij.
Çfarë nuk mund të mohohet është fakti se struktura klanore në Kosovë, në disa pjesë të Sanxhakut dhe në Shqipërinë veriore në vitet 40-të ishte shumë e fuqishme dhe këta ushtarë shpesh lojalitetin e tyre më të madh e tregonin ndaj shefit të klanit se sa ndaj eprorëve gjermanë. Nga pikëpamja e tyre ata kultivonin dyluftimin heroik fytafytas dhe e përbuznin luftën nga distanca (për shembull me granatahedhës e mitraloz), pasi që kjo luftë nuk konsiderohej e ndershme.
Sipas mendimit tuaj, a ka një mundësi që shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë të restaurohet? Fundja, edhe në Itali dhe Gjermani arkitektura naziste dhe fashiste nuk është bërë rrafsh me tokë pas vitit 1945.
Franziska Zaugg: Konsideroj se do të ishte shumë mirë nëse shtëpia do të rinovohej dhe shndërrohej në muze, i cili në mënyrë kritike ndriçon periudhën jashtëzakonisht interesante të jetës së Xhafer Devës (1904-1978) duke pasur parasysh konstelacionet e ndryshme shtetërore, ndikimin e forcave ndërkombëtare në Europën Juglindore, sidomos në rajonin e Kosovës dhe Sanxhakut, që deri në ditën e sotme ka një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike, dëshirat dhe qëllimet e elitave lokale dhe ndryshimet që ka pësuar Mitrovica.
Do të duhej të ishte një muze që tregon anët e ndritshme dhe të errëta të Xhafer Devës, si protagonist pararendës, si intelektual, si i përndjekur, por gjithsesi – dhe kjo është shumë me rëndësi – edhe si përndjekës. Ndryshe shtëpia do të shndërrohej në një urë të dytë mbi lumin Ibër, një objekt që do shkaktonte konflikte të pafundme.
Faleminderit për intervistën...
Franziska Zaugg: Kam edhe diçka për të shtuar.
Urdhëroni...
Franziska Zaugg: Kur flasim për Italinë dhe Gjermaninë, këto janë dy çështje të ndryshme. Në Gjermani ndërtesat e kohës së nazizmit trajtohen në mënyrë kritike, në Itali kjo ka filluar të bëhet tek viteve të fundit. Më herët nuk ka qenë i mundur një ballafaqim kritik me fashizmin italian, i cili, sidoqoftë, e shihte Adolf Hitlerin si model. Njoh shumë historiane e historianë italianë të gjeneratës së re, të cilët këtë vrimë të zezë po e plotësojnë me fakte. Kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë. Atje mes kosovarëve të gjeneratës së re, si shqiptarë ashtu edhe serbë, malazezë dhe romë, njoh shumë njerëz kritikë dhe të hapur, të cilët janë të gatshëm që së bashku të hedhin një shikim drejt të kaluarës së pasur. Pikërisht këta njerëz do të duhej të angazhoheshin në planifikimin e një projekti të tillë. Përkitazi me trajtimin e së kaluarës duhet thënë se edhe Zvicra tek në vitet 90-të, pra me shumë vonesë, i është qasur në mënyrë kritike rolit të saj në Luftën e Dytë Botërore.